Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur sot mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën në fjalën e mbajtur në seancën e posaçme parlamentare, ku presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua Kuvendit shqiptar me një video-mesazh.
Rama theksoi se edhe pse mizoritë e luftës në Ukrainë nuk mund të perceptohen, shqiptarët e ndjejnë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës nisur nga historia e tyre e afërt e luftës në Kosovë.
“Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mundet ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them i nderuar president Zelensky, se historia jonë e afërt, kur gjysmë milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik, nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri, na ndihmon sidoqoftë të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës”, ka thënë Rama.
“Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainën, jo vetëm ne, po krejt Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, i gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, jemi rreshtuar krah jush, me zemër, me mendje, e me çdo gjë kemi mundur”, ka theksuar Rama.
Rama ka shtuar gjithashtu se Shqipëria është një vend shumë më i vogël se sa Ukraina dhe mundësitë e saj për ndihmë “janë krejt modeste, krahasuar me madhësinë marramendëse të sfidës suaj”.
Por, ai tha se më 5 maj Shqipëria do të jetë e pranishme në konferencën e donatorëve në Varshavë të Polonisë ku do të japë kontributin e vet për Ukrainën.
“Por, ne kemi besuar qysh në fillim, se nëse në aspektin e mbështetjes material, vendi ynë nuk mund të bëjë asnjë diferencë në këtë luftë, Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, qoftë në tryezën e NATO-s, qoftë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi pasur nderin të jemi edhe bashkënismëtarë të disa qëndrimeve domethënëse kundër agresionit rus. Pasnesër, më 5 maj, Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në Konferencën e Donatorëve, për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë, ku do të japim edhe ne kontributin tonë modest”, ka theksuar Rama.
“I dashur miku ynë, presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë”, ka thënë Rama.
“Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjatë ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet”, ka shtuar kryeministri i Shqipërisë.
“Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar president, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!”, ka thënë Rama në përmbyllje të fjalimit të tij.
/abc24.al/