Një shkurtesë që përdoret shpesh për t’i përshkruar tri komunitetet joshumicë në Kosovë – romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët – konsiderohet ofenduese nga pjesëtarë të këtyre komuniteteve.
Shkurtesa RAE vështirë haset në dokumente zyrtare, por është tejet e theksuar në diskursin publik, përfshirë edhe atë të zyrtarëve.
Në fillim të këtij muaji, në një konferencë për ndikimin e pandemisë së koronavirusit te komunitetet pakicë në Kosovë, është dëgjuar të përmendet RAE.
Kjo ka shkaktuar reagime nga pjesëtarë të këtyre komuniteteve, por të tilla në mediat sociale ka pasur edhe më herët.
Muhamet Arifi, drejtues i organizatës “Balkan Sunflowers”, që merret me edukimin dhe çështjet e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, thotë se ky emërtim nuk është i drejtë për disa arsye.
“Njëra është se ne jemi tri komunitete të njohura me Kushtetutën e Kosovës. E dyta është se ne kemi tradita, kultura e gjëra të ndryshme. Kemi emra të ndryshëm, jemi etni të ndryshme”,
thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.
Kushtetuta e Kosovës, e miratuar në vitin 2008, i përshkruan komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian si të ndara, dhe termi RAE nuk përdoret askund në këtë dokument.
Njëri prej hartuesve të Kushtetutës, Arsim Bajrami, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndarja e tillë është bërë në bazë të Pakos së Ahtisaarit – dokumentit mbi të cilin Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008.
Bajrami rikujton se në këtë dokument janë të njohura gjashtë komunitetet më të mëdha në Kosovë – në mesin e tyre: romët, ashkalinjtë dhe egjiptinaët.
Dokumente të tjera zyrtare, që flasin ndaras për këto komunitete në Kosovë, përfshijnë Strategjinë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e komuniteteve e të tjera.
Por, termi RAE përdoret në komunikimin publik të Policisë së Kosovës, të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe të disa institucioneve të tjera.
Si erdhi deri te termi RAE?
Gjeneza e përdorimit të termit RAE nuk dihet saktësisht. Megjithatë, aktivistë që punojnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, thonë se ajo mund të ketë dalë nga prirja për të shkruar fjali më të shkurtra.
“Në parim, ky term është përdorur për të shmangur [fjalinë e gjatë]. Dikush ka përtuar dhe e ka shkurtuar në një periudhë të caktuar kohore, por që nuk ka qenë asnjëherë [term] adekuat për t’iu referuar të tria komuniteteve”,
thotë Vesa Batalli, menaxhere e programeve në organizatën
“Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk ka vetëdijesim të mjaftueshëm në shoqëri se përdorimi i kësaj shkurtese mund t’i ofendojë komunitetet.
“A është i përdorshëm dhe a është shumë i shprehur në institucione publike? Po, është shumë. Pikërisht për shkak të mosnjohurive të zyrtarëve publikë rreth të tria komuniteteve”
, thotë Batalli, duke kërkuar nga deputetët që përfaqësojnë tri komunitetet në Kuvendin e Kosovës, të bëjnë më shumë për të rritur vetëdijesimin.
Deputeti Fridon Lala, i cili i takon komunitetit egjiptian, thotë se ky term nuk përdoret në Kushtetutë dhe ky, sipas tij, duhet të jetë shpjegim i mjaftueshëm përse nuk duhet përdorur as në diskursin publik.
“Përtej asaj që qytetarët mund ta përdorin, përdoret edhe nga mediat dhe shpeshherë edhe nga institucionet. Gjithmonë ka pasur fushata vetëdijesuese, ka pasur reagime, mirëpo prapë po vazhdon i njëjti avaz”
, thotë Lala për Radion Evropa e Lirë.
Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk ka arritur të marrë reagime nga deputetë të tjerë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Kosova, ndryshe nga BE-ja sa i përket emërtimit të komuniteteve
Bashkimi Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet, i njeh me term më përgjithësues këto komunitete.
Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka miratuar më 7 tetor të vitit 2020 Strategjinë Kornizë për Romët në Bashkimin Evropian, e cila merret me përfshirjen socio-ekonomike dhe barazinë, në përgjithësi.
Në këtë strategji, por edhe në dokumente të tjera të BE-së përdoret termi “Roma”, që përfshin
“disa grupe të ndryshme, në mesin e tyre ashkalinjtë dhe egjiptianët”.
Deniz Galushi, gazetar dhe publicist nga Kosova, i cili i takon komunitetit rom, thotë se nuk pajtohet që romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët janë etni të ndara.
Ai është dakord me terminologjinë e BE-së dhe thotë se termin RAE nuk e sheh si ofendues.
“Unë për vete nuk e shoh si ofenduese kur dikush na thërret me termin RAE, sepse e di që jemi një. Në anën tjetër, romët nuk e kanë krizën e identitetit të tyre, sepse njihen botërisht”,
thotë Galushi për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë thonë historianët?
Sipas disa historianëve, historia e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë nuk është lehtë e shpjegueshme.
Col Mehmeti, historian nga Prishtina, i cili tani studion në Institutin e Gjuhës dhe Shkencave Humanitare në Jerusalem, thotë se ka disa të dhëna për komunitetin rom në Ballkanin Perëndimor.
“Aty ku përbashkohen shumica e studiuesve, është se ata shfaqen disa dekada para ardhjes së osmanëve [në shekullin XIV] e, më pas, gjatë shekujve të parë të pushtimit osman ka gjithnjë e më shumë përmendje të tyre”
, tregon Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Sa u përket dallimeve në mes të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me theks në Kosovë, Mehmeti shpjegon:
“Derisa pranohet përgjithësisht se romët janë folës të gjuhës rome [rromani chib], që lidhet me të folurën në Punxhab e Indi, ashkalinjtë dhe egjiptasit nuk janë folës të saj dhe as nuk e identifikojnë veten me të parët”.
Ai shton se traditat gojore flasin për një ardhje nga Irani e Turqia të ashkalinjve dhe egjiptianëve.
“Mirëpo, fakt është që, qysh prej kohës së Perandorisë Osmane, pati një konfuzion thuajse të plotë sa i përket origjinës së tyre, me ç’rast identitetet etnike, gjuhësore e sociale kishin prirje për t’u ngatërruar”,
thotë Mehmeti.
Sipas një publikimi të vitit 2018 nga Grupi Ndërkombëtar për të Drejtat e Minoriteteve, romët e Kosovës, deri në vitet 1990,
“ishin një grup shumë i larmishëm: ata flisnin gjuhën rome, shqipe ose serbo-kroate dhe ishin të krishterë, myslimanë ose ortodoksë”.
“Megjithatë, nga vitet 1990, romët janë ndarë në tri grupe vetidentifikuese: romë, ashkali dhe egjiptianë”,
thuhet në këtë publikim.
Sipas tij, romët flasin gjuhën rome, ndërsa dy grupet e tjera, përkatësisht ashkalinjtë dhe egjiptianët, nuk e flasin përgjithësisht këtë gjuhë.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se janë në dijeni që termi RAE konsiderohet ofendues nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe thonë se ai duhet të eliminohet.
“Si institucione qeveritare, ne duhet t’i respektojmë emërtimet e të gjitha komuniteteve joshumicë, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”
, thuhet në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrit dhënë Radios Evropa e Lirë.
Të dhënat e fundit zyrtare mbi përfaqësimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011. Sipas tyre, në Kosovë jetojnë 8,824 romë, 15,436 ashkalinj dhe 11,524 egjiptianë.
Megjithatë, këto shifra nuk paraqesin imazhin e saktë demografik të këtyre tri komuniteteve, meqë në regjistrim nuk kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e tyre dhe regjistrimi nuk është kryer në katër komunat veriore me shumicë serbe, për shkak të bojkotimit nga popullata atje./Rel/