Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka paralajmëruar mundësinë për kthimin e karantinimit të disa zonave dhe ndalimin e tubimeve mbi 100 persona.
Kryeministri Hoti tha se në lidhje me këtë do të merren vendime në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Këto komente Hoti i bëri pas takimit me komitetin për vlerësimin e situatës me koronavirus.
“Jemi duke konsideruar që të ndërmarrim masa për karantimin e disa prej lokacioneve ku ka më së shumti raste të paraqitura. Do të ndalojmë grumbullimin e qytetarëve në hapësirë të hapura ose të mbyllura për më shumë se 100 persona në çdo situatë. Duhet të rregullojmë pak më mirë ceremonitë mortore, vetëm me rrethin e ngushtë familjarë, ashtu si kanë qenë të rregulluara… do të punojmë gjithashtu që të fuqizojmë më shumë ekipet mjekësore në pikat kufitare. Këto janë masat të cilat do t’i ndërmarrim menjëherë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë për të mbajtur situatën nën kontroll. Mesazhin që unë sot dëshiroj të jap të qartë për të gjithë qytetarët: Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmon në mënyrë që mos të kemi nevojë ta mbyllim komplet ekonominë siç ka ndodhur para tre muajve”, tha Hoti.
Ai theksoi po ashtu se nuk mund të lejohet të dalë situata jashtë kontrollit, sepse jeta e qytetarëve është prioritet.
Derisa ka thënë se 49 persona deri më sot kanë vdekur si pasojë e virusit korona në Kosovë, 6 janë në gjendje të rëndë dhe Klinika Infektive është stërmbushur me të prekur.
Hoti tha se masat janë të thjeshta, pastërtia, maska dhe distanca, kush do që nuk i zbaton këto masa bënë vepër penale.
“Diskutuam në detaje për masat që do t’i ndërmarrim, menjëherë qysh në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nëse ka nevojë për vendime ekzekutive, duke filluar nga reduktimi i punësimit në institucione për të gjithë ata që kanë mundësi të kryejnë punën nga shtëpitë. Duhet të kujdesen bartësit e institucioneve që t’i lirojnë ata në shtëpi. Do të mbyllen menjëherë të të gjithë sektorët, departamentet e ndryshme në biznese ose në institucione ku raste të paraqitura. Duhet detyrimisht përmes organeve të rendit të kontrollet që personat që janë të infektuar mbesin të izoluar. Ata paraqesin rrezik për qytetarë të tjerë. Duhet të aktivizohen menjëherë shtabet lokale të komunave… Inspektorati sanitar do të marr masa të nevojshme në përputhje me ligjin, masat ndëshkimore, në rrugë, në biznese, në institucione, kur do. Inspektorët do të jenë 24 orë në rrugë. Duke ecur rrugës, duke hyrë në kafe, duke hyrë në barnatore, nëse nuk mbani maskë do të dënoheni në përputhje me ligjin”, theksoi Hoti.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se është angazhuar i gjithë potenciali për të menaxhuar situatën me virusin e pa njohur. Ai ka thënë se faza e tretë e hapjes graduale ekonomike ka rezultuar me rritje të rasteve, derisa theksoi se rritja e rasteve është pasojë e mosrespektimit të masave nga bizneset dhe institucione të ndryshme.
Ministri Zemaj tha se janë duke përgatitur strategjinë për testime në masive në vend.
“Si Ministri e Shëndetësisë, kemi marrë masa që paralelisht me hapje të fuqizojmë edhe kapacitete, shërbimet me respirator të ri. Kemi aktivizuar tri klinika tjera në QKUK që t’i dalim në ndihmë Infektives. Kemi publikuar shpërndarjen në tri gjuhë, manualin me udhëzues për veprimtari të hapura. Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë, theksoi Zemaj.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se të gjithë të dyshuarit me virus do të testohen, përfshirë edhe punonjësit e Kuvendit të Kosovës.
Derisa bëri thirrje që qytetarët të jenë të përgjegjshëm, për të ruajtur jetët e njerëzve.
“Qytetarët të cilët nuk i përmbahen këtyre rekomandimeve janë duke rrezikuar jetët e njerëzve, këtë nuk kanë të drejtë ta bëjnë askush dhe nuk është e drejt e askujt. Ne do të ruajmë çdo jetë të qytetarit të Republikës së Kosovës, por ne nuk mund ta ruajmë vet, s’e virusi nuk ka këmbë, këmbët ia jepni ju dhe çdo qytetarë u pa kujdesshëm. Ju kisha lutur edhe një herë, ruani popullatën, duke bartur maska, duke ruajtur distancën dhe higjienën personale”, tha Ramdani.
Ndryshe, në muajin e fundit kur u liruan edhe më shumë masat, është rritur edhe numri i infektuarve në vend. Numri total i të infektuarve në Kosovë ka arrite në 2677./I. Shabani/Kosovapress
Burimi: top-channel.tv