Në rishikimin e buxhetit qeveria shqiptare ka financuar lotin e dytë të rrugës nacionale Korçë – Ersekë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Kolonjës Erion Isai përmes një postimi në Facebook.
Ky aks i amortizuar ka më tepër se 10 vite që përmendet në premtimet elektorale por askush nuk ka mundur të ndryshojë gjendjen e saj, ndërkohë që sot Isai ka lajmëruar se premtimi i bërë nga vet kryeministri Rama në sheshin Rilindja të qytetit të Ersekës sot ka marrë dhe “vulën” e financimit.
Postimi i plotë në Facebook:
Çdo nismë, ideal, pasion e punë e ka një rrugë. Edhe kjo e jona e ka një… rrugën e Kolonjës.
Peshë e madhe; kur duhet që të bësh rrugën e Kolonjës, kur vetë Kolonja ka bërë rrugën e Shqipërisë, vërtet, peshë e madhe.
Por ne, bashkë, e kemi nisur këtë rrugë, me 3 shkollat dinjitoze si arsimi i vetë Kolonjarëve, ujësjellsat e Ersekës, Leskovikut, Kozelit, 17 fshatrave, qendrës sociale, kanalit vaditës së Gjonçit, qendrës polifunksionale IADSA, programeve të turizmit, projekteve të BE, 2 banesave sociale për të pa strehët në Ersekë e Leskovik, rikualifikimin urban të dy lagjeve në Ersekë, vetëm nga qeveria Shqiptare në 11 muaj, jane 12,8 miliard lek investime për Kolonjën…
Pa përmendur potencialin e investimit nga vetë bashkia, pedonalen e re te rrugës Pali Prifti, qendra e Mollasit, rrugët rurale që lidhin zona të tëra… çdo ditë diçka… për këtë rrugë. Është sfida më e bukur ndër punët e mia deri tani, pasi pasioni i ndërtimit të kësaj rruge e bën këtë detyrë unike, e të pa harrueshme.
Dhe ja ku jemi, të realizuar, gati për ta filluar. Si të mos e falenderoj, jo ministren, por deputeten tonë, çupën e adoptuar të Kolonjës, Elisa Spiropali kur në atë zyrën e saj të katit të dytë, ndërpret çdo takim, bën çdo telefonatë, takon çdo njeri, e “çmend” këdo për investimet në Kolonjë… e quante të plotësuar fund-sfidën e mandatit të saj të parë si deputete e Kolonjës, i dukej e pa plotë rruga që kemi nisur për Kolonjën!….
…. Në sheshin Rilindja, rrethuar në të bronxtët rilindasit sharmantë, që i dhanë mend e nur Kolonje gjithë kombit, në mes Qershorin e vitit të kaluar Edi Rama premtoi: po, do ta bëjmë rrugën e Kolonjës!
Ndaj sot kjo, rruga, që bashkë kemi nisur, më duket më e bukur: Kur në aktin normativ të buxhetit të qeverisë gjendet financimi i lotit të dytë i rrugës “Korçë – Ersekë”!