Menjëherë pas publikimit të Raportit të Komisionit të Venecias ka reaguar edhe kreu i shtetit shqiptar me një deklaratë. Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta 14 tetor 2019 Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës. Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak. Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se: Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore. Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.