Problemet te Lazio

0
Gjigandi

Deri në muajin mars cilësohej si surpriza më e bukur e kampionatit italian dhe pretendentja kryesore për të fituar titullin bashkë me Juven, por rikthimi në qershor e ka gjetur Lazion të shndërruar totalisht dhe 4 humbje të pësuara, tre prej të cilave radhazi, kanë nxjerrë në pah shumë probleme të brendshme.

Kështu një ndër to lidhet me organikën e cunguar në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi, që deri në mars diti të menaxhojë mirë situatën, pasi hoqi dorë nga kupat dhe kështu shmangu ngarkesën te 11-shja titullare, të cilët luanin vetëm një herë në javë.

Nuk mund të ndodhte kështu me rifillimin e kampionatit, ku të gjithë skuadrave iu desh të përballen me një kalendar të ngjeshur dhe në momentin që u përball me pezullimet e Immobiles e Caicedos, Inzaghi mbeti pa alternativa në sulm.

Humbja ndaj Milanit nxori në pah një tjetër defekt të bardhekaltërve, mungesën e eksperiencës. Kjo pasi mjaftoi një rrëshqitje e këmbës, për të çuar entuziazmin në nivele minimale dhe më pas erdhën disfatat radhazi ndaj Lecces e Sassuolos.

Së fundi në dhomat e zhveshjes ka shpërthyer edhe një debat i ashpër mes stafit mjekësor dhe nutricionistit të skuadrës, pasi ky i fundit ka eksperiencë vetëm në fushën e çiklizmit dhe është akuzuar nag mjekët se me dietat e aplikuara, nuk i ndihmon futbollistët të rikuperojnë shpejt energjitë e humbura.

RonaTyra

Për më tepër edhe vetë stafi mjekësor ka përfunduar nën akuzë, pasi nuk ka ditur të menaxhojë mirë ngarkesën e dhënë ndaj futbollistëve, të cilët po “dorëzohen” një nga një dhe kanë detyruar Inzaghin të përgatisë ndeshjet me një numër shumë të paktë lojtarësh.

Si të mos mjaftonin këto, te Lazio nuk jepen as rrogat prej disa muajsh, ndërsa për këtë mësohet se një grup i futbollistëve të huaj si Sergei Mininkoviç-Saviç dhe Luis Alberto nuk e kanë fshehur nervozizmin në ballafaqimin me drejtuesit.

Në këtë situatë të krijuar, por edhe me kalendarin e mbetur, ku i rezervohen 4 transferta shumë të vështira duke filluar nga nesër me Udinesen e për të vijuar më pas me Juventusin, Veronën e Napolin, mes të cilave futen edhe dy ndeshjet brenda ndaj Cagliarit e Bresicas, bardhekaltrit rrezikojnë të mbyllin kampionatin vetëm në vendin e katërt.

Megjithatë lajmi i mirë është që në 6 javët e mbetura të besuarit e Simone Inzaghit kanë nevojë vetëm për 4 pikë që të mund të sigurojnë edhe matematikisht vendin në zonën Champions, që duket se ishte edhe objektivi i klubit në fillim të sezonit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu