Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar përmes një postimi në facebook ditën e rezistencës anti-Fashiste ndaj pushtuesit italian. Kreu i shtetit shkruan se në datën 7 prill, Shqipëria përkujton një ditë të zezë, atë të kyhimit të mikut më të ngushtë në armikun më të pabesë.
Meta shpreh gjithashtu vlerësimin për heronjtë e Rezistencës Antifashiste, të cilët i qëndruan besnik betimit mbi Flamurin Kombëtar, duke mos kursyer as jetën e tyre për idealet kombëtare.
“Përkujtojmë sot një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, 7 prill 1939, ditën e kthimit të mikut më të ngushtë në armikun më të pabesë ndaj lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë.
Sot është edhe një ditë nderimi për fillimin e Rezistencës Antifashiste të patriotëve tanë, me në krye Heroin Mujo Ulqinaku, që në ato momente të errëta, i dolën për zot Atdheut, duke i qëndruar besnik betimit mbi Flamurin Kombëtar për të mos kursyer as jetën e tyre.
Dëshmorët e Atdheut, që ranë në këtë ditë, janë edhe frymëzuesit e gjithë asaj Rezistence të mëpasshme, deri në Çlirimin e plotë të vendit, që e rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur të historisë.
Çdo kohë dhe periudhë historike ka heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur dhe do të rritë gjithmonë heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar”
, shkruan Presidenti në facebook.