Paul Scholes thotë se Manchester United ishte gati me gjithçka për të marrë Ronaldinho, por braziliani ndryshoi mendje në minutën e fundit dhe shkoi te Barcelona. Pasi e ndihmoi vendin e tij për lavdi në Kupën e Botës në 2002, mesfushori çudibërës pati mjaft kërkesa verën e ardhshme. Largimi nga PSG u bë i paevitueshëm, teksa Sir Alex Ferguson shfaqi hapur interes për të. Bosi legjendar i Manchester United mbeti, sidoqoftë, i zhgënjyer, së bashku me disa drejtues të tjerë të skuadrës së tij, të cilët mezi prisnin të punonin me një talent të madh, që vazhdoi të fitonte dy çmime të “Lojtarit Botëror të Vitit”, ndërsa ishte në Barcelonë.
Për Paul Scholes, Ronaldinho mbetet mundësia më e madhe e humbur nga “Djajtë e Kuq”. Ai tha për “BBC Radio 5 Live”: “Më kujtohen gjithnjë dy, ose tre lojtarë, që mund të kishin ardhur te ne. Harry Kewell ishte njëri, një lojtar mjaft i mirë. Në fund të bisedimeve na refuzoi për Liverpool, gjë që nuk na shqetësoi me të vërtetë aq shumë. Damien Duff ishte në atë kohë si Arjen Robben më vonë. Unë mendoj se ishte shumë afër Manchester United. Si mesfushor, ju prisni të luani me lojtarë të shpejtë, të cilët mund të vrapojnë me topin dhe të shënojnë gola.
Ai që bie më shumë në sy, që mund të bashkohej me ne, është Ronaldinho. Nuk mund ta mbaj mend se cili vit ishte, por me të vërtetë mendova se trajneri e mori atë. Ne ishim para nisjes së sezonit të ri dhe po llogarisnim një numër për Ronaldinho. Transferimi i thuajse ishte përfunduar, por ai ndryshoi mendje në minutën e fundit dhe nënshkroi për Barcelonën.
Është e çuditshme, sepse në atë turne parasezonal po luanim kundër Barcelonës, kështu që të gjithë ishim të ngazëllyer nga Ronaldinho. Çfarë lojtari që ishte! Ai po vinte nga PSG dhe të gjithë ne menduam se do të sillte diçka të veçantë, pothuajse si atë që Cantona solli në ekipin tonë. Tri ditë më vonë, ne po luanim kundër tij në Seattle, të gjithë po përpiqeshim ta godisnim, meqë na refuzoi”.
Ronaldinho kaloi pesë vite te Barcelona, duke shënuar 94 gola në 207 paraqitje, ndërsa i ndihmoi gjigantët katalanas të fitonin dy tituj të La Liga-s dhe një kurorë të Ligës së Kampionëve.