Policia gjermane tha sot se ka arrestuar njeriun e armatosur të mbiquajtur “Rambo” nga mediat vendase, pas pesë ditë gjuetie për të në Pyllin e Zi.
31 vjeçari Yves Rausch ishte arratisur i vetëm në pyllin pranë qytezës së Oppenau, në jugperëndim të Gjermanisë, pasi kishte kërcënuar një grup oficerësh policie dhe u kishte marrë pistoletat.
Forca speciale, qen nuhatjeje dhe helikopterë me zbulues termikë u dislokuan për gjetjen e tij.
E përditshmja Bild tha se një punonjës poste kishte dhënë informacione mbi vendndodhjen e tij dhe se një person ishte plagosur gjatë operacionit.
Një ditë më parë nëna e të riut i lutej autoriteteve ta linin të qetë.
Ajo tha për rrjetin Baden tha se nuk kishte pasur kontakte me të birin që kur ishte larguar në arrati. “Ata duhet t’i tërheqin forcat e tyre, pas një apo dy ditësh ai do të dalë vetë nga pylli”, tha ajo.
Policia tha se ai ka jetuar prej kohësh në Oppenau dhe e njeh mirë zonën e pyllit.
Nëna e tij tha se ai ishte dëbuar nga apartamenti që kishte me qera vitin që shkoi ndërsa e përditshmja Bild thoshte se kishte krijuar një arsenal armësh në papafingo.
Nëna e tij thotë se Rausch është një “njeri i pyllit”, dhe se është “arratisur te natyra për të qenë i lirë”.
Rausch ka qenë më parë në burg për shkelje armësh zjarri dhe policia paralajmëroi publikun të mos i afrohej.
Policia e kishte gjetur atë në një kasolle në cep të pyllit dhe fillimisht kishte bashkëpunuar me policët, por papritur kishte nxjerrë armën dhe kishte çarmatosur katër oficerët.
Nëna e tij thotë se ai rriste vetë perimet e tij dhe gdhendte figura në dru, të cilat shpresonte t’i shiste.
Burimi: top-channel.tv