Nuk bën lojëra fjalësh Stefano Pioli dhe sheh te gjysmëfinalja e parë fajtorin kryesor për eliminimin e Milanit nga Kupa e Italisë. Trajneri nuk pranon që ekipi i tij të ketë luajtur më dobët sesa rivalët të cilët i gëzohen finales së 19-të në histori vetëm sepse goli në fushën kundërshtare vlen më tepër. Në mikrofonat e “RAI”-t, 54-vjeçari analizon të gjitha aspektet që sollën fundin e udhëtimit të “Djallit” në kompeticion që mund t’i siguronte në biletë për në Europë.
“Më vjen keq ta them, por në rezultat ndikon penalltia e dhënë në ndeshjen e parë. Sot vuajtëm shumë presion fillestar të Juves dhe me naivitet shkaktuam inferioritetin tonë numerik. Patëm disa raste që mund të bënim diçka më shumë. Finalja ishte synimi ynë. Nuk ia dolëm dot, për fat të keq. Tani duhet të kualifikohemi në Europë nëpërmjet kampionatit”.
“U eliminuam me dy barazime. Nuk luajtëm më keq se Juvja, ndaj edhe dallimi është shumë i vogël. Goli i pësuar në fushën tonë na detyronte të shënonim në Torino, por nuk ia arritëm qëllimit. Mbrojtëm mirë, por kjo erdhi sepse vepruam në grup. Tani na presim shumë ndeshje të vështira, ndaj lë te përqendrohemi tek ato”.
“Nevojitet më shumë vazhdimësi në rendiment. Ka pasur edhe ndeshje të tjera që kemi luajtur mirë, por problem ka qenë rezultati që nuk e kemi marrë të plotë. Gjatë sfidave duhet të jemi më solidë dhe sidomos më konkretë në aksionet që ndërtojmë”.