Profesori universitar, Enver Bytyçi ka komentuar peticionin që po bëhet për largimin e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
Bytyçi në një postim në Facebook tha se përmbajtjen e këtij peticioni rezulton se ai nuk drejtohet në asnjë aspekt kundër SHBA-ve!
Sipas tij, dogma sipas së cilës ambasadorja përfaqëson Presidentin amerikan është thjesht një mekanizëm mashtrimi.
Madje,profesori kritikoi ambasadoren Kim për ndërhyrjen e saj në prokurori dhe gjykata.
“Ndërhyrja e saj te prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë edhe për çështje në hetim ose në procedurë gjyqësore! Kjo ka bërë që drejtësia të vuajë nga presionet e ambasadores, njësoj siç vuante dhe vuan nga presionet e politikës! Ky është skandal!”,
deklaroi Bytyçi, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Peticioni që po nënshkruhet me kaq shpejtësi, me të cilin i kërkohet administratës së Presidentit Biden largimi i ambasadores Kim, është unik në historinë e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me SHBA-të!
Sa lexova në përmbajtjen e këtij peticioni me rezulton se ai nuk drejtohet në asnjë aspekt kundër SHBA-ve! Në këtë rast sqaroj se dogma sipas së cilës ambasadorja përfaqëson Presidentin amerikan është thjesht një mekanizëm mashtrimi. Presidenti emëron ambasadorët. Por po ta pyesësh se kush është ambasador(e) në Shqipëri apo në shumë vende tjera, ai nuk ua di emrin.
Në cdo vend të botës ambasadorët kanë tager presidencial. Por ata japin llogari vetëm të kryediplomati i vendit të tyre. Rrallë herë, shumë rrallë, ndodh që ata të japin llogari te kryeministri ose presidenti i vendit. Ambasadorja Kim është vartëse e sekretarit të Shtetit dhe jo e presidentit! Prandaj dhe lidhjet e saj me departamentin e shtetit janë të përditshme! Ndërkohë përvoja na dëshmon se shpesh herë departamenti i Shtetit është praktikisht një pushtet me vete, gati i pavarur nga Presidenti.
Nga ana tjetër verej se ky peticion nuk ka të bëjë thjesht me ose mos shpalljen e liderit historik të së djathtës, Sali Berisha non-grata! Problemi më i madh që shqetëson shqiptarët lidhet me atë pse zonja Kim përkrah e mbështet një qeveri kriminale të shndërruar tashmë në një organizatë mafioze në Shqipëri? Përse ajo nuk i denoncoi asnjëherë aferat korruptive të kryeministrit, zv.kryeministrit dhe ministrave në detyrë të Edi Ramës? Përse nuk dënon aferat e kryebashkiakut të Tiranës? Përse ajo mbron dhe mbështet me fanatizëm njerëz që nuk kanë mbështetjen e demokratëve në kampin e së djathtës?
Por duhet thëne gjithashtu se me problematike mbetet ndërhyrja e saj te prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë edhe për çështje në hetim ose në procedurë gjyqësore! Kjo ka bërë që drejtësia të vuajë nga presionet e ambasadores, njësoj siç vuante dhe vuan nga presionet e politikës! Ky është skandal!
Së fundi mund të them se ky peticion synon thellimin e bashkëpunimit të sinqertë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim të cilin zonja Kim e ka kufizuar dhe katandis si një marrëdhënie midis Edi Ramës dhe Departamentit të Shtetit! Përtej Departamentit të Shtetit Edi Rama nuk ka mundur të shkojë në dhjetë vjet qeverisje!