Nuredin Dumani, pas ndërhyrjes kirurgjikale, mësohet se ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën te spitali i Traumës.
Dumani është nxjerrë nga reanimacioni këtë pasdite.
Grupi hetimor pritet ta marrë në pyetje të plagosurin nga përplasja me armë me Talo Çelën, nga ambientet e spitalit ku po trajtohet.
Dy ish-miqtë e shndërruar në armiq shkëmbyen zjarr nga automjetet e tyre pasditen e djeshme në aksin rrugor Elbasan-Peqin.
Dumani mori një plumb në shtyllën kurrizore, i cili i ka prekur edhe mushkërinë, por nga ndërhyrja kirurgjikale nuk është bërë e mundur nxjerrja e predhës.
Nuredin Dumani kërkohej nga drejtësia prej disa vitesh, teksa për të janë lëshuar 3 urdhër arreste. Mbi Dumanin rëndojnë akuzat e vrasjes së të paktën 7 personave.
Saga e krimeve nisi pas grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit të Rinasit, ku persona të maskuar dhe të veshur si komando, grabitën rreth 10 mln euro, në 9 prill 2019.
Pak kohë më pas, mes anëtarëve të bandës nisin likuidimet, hakmarrje të cilat mbërritën deri te dy të mbijetuarit e fundit. Nuredin Dumani vrau në shtator 2020, Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës, duke bërë që larja e hesapeve mes mes të dyve të arrijë kulmin.
Mësohet se pasditen e djeshme, Nuredin Dumani në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte nisur t’i bënte atentatit pikërisht Talo Çelës, nga i cili mbeti i plagosur. Në automjetin ku udhëtonte Dumani dhe të bërë shoshë nga plumbat, u gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një bidon me benzinë.