Virusi po rikthehet në Evropë ndërsa kufizimet po zbuten. Drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, tha gjatë një konference për shtyp se Evropa ka parë një rritje të numrit të rasteve të Covid-19 që kur vendet nisën të zbusin kufizimet që kishin si qëllim frenimin e përhapjes së virusit. Kluge shtoi se dhjetra vende në Evropë kanë parë rritje të shifrave dhe paralajmëroi se disa sisteme shëndetësore evropiane mund të rrezikonin sërish stërmundimin.
“Javën e kaluar Evropa pa një rritje të rasteve javore për të parën herë pas shumë kohësh. Për javë të tëra ne kemi folur për rrezikun e rikthimit të virusit ndërsa vendet zbusin masat. Në disa vende të Evropës, rreziku tani ëhstë bërë një realitet”- tha Kluge.
Janë 30 shtetet që kanë parë rritje të rasteve gjatë dy javëve të shkuara. Në 11 vende, sipas OBSH, shpejtësia e transmetimit është rritur dhe kjo ka çuar në shtim domethënës rastesh që nëse lihet jashtë kontrollit do t’i çojë sërish sistemet shëndetësore në prag të kolapsit.
Më shumë se 2.6 milionë raste të Covid-19 dhe 195 mijë viktima janë raportuar në rajonin evropian të OBSH, që mbulon 54 shtete dhe shtatë territore në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Thuajse 20 mijë raste dhe më shumë se 700 viktima të reja regjistrohen çdo ditë në këtë rajon. Por, pavarësisht rritjes së shifrave, Kluge thotë se OBSH mendon se situata do të qetësohet në pjesën më të madhe të vendeve gjatë verës.
Por, duhet të përgatitemi për vjeshtën, tërheq vëmendjen ai, kur Covid-19 të takohet me gripin sezonal, pneumoninë dhe sëmundje të tjera sepse përfundimisht, virusi do të jetë ende në qarkullim në komunitetet tona ndërkohë që ende nuk kemi një trajtim efektiv dhe një vaksinë.
Burimi: top-channel.tv