Okulistja Gjurashaj jep alarmin: Sindroma e ‘syrit të thatë’ rrezikon shikimin e fëmijëve, shkak teknologjia

0
Gjigandi

Gazetare: Marina Kërçeli

Teknologjia rrezikon që të ‘verbojë fëmijë’, ky është alarmi që vjen pas tendencë së rritjes nga simptoma e ‘syrit të thatë’. Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se janë rritur rastet e vizitave në qendrat spitalore, ku ka dyshime të forta se shkaktari kryesor i këtyre dëmtimeve të parikuperueshme është përdorimi i tepruar i pajisjeve teknologjike.

E intervistuar nga Abc24.al, okulistja e QSUT-së Etleva Gjurashaj shprehet se teknologjia dhe rrezet blu po kërcënojnë shikimin e fëmijëve dhe ndryshe nga vitet e vitet më parë ku sindroma prekte grupmoshat mbi 50-vjeç, tani ka zbritur tek mosha 3-vjeçare.

Mjekja Gjurashaj thekson se fëmijëve duhet t’i ndalohet kategorikisht telefoni dhe pajise të tjera teknologjike, pasi rrezet blu nxisin sindromën e syrit të thatë dhe zhvillon një sërë problematikash të tjera.

Sipas okulistes përveç sindromës fëmijët rrezikohen nga infeksioni deri tek gërvishtja e xhamit të syrit, ku thekson se këtyre problematikave duhet t’i jepet një rëndësi e madhe. Mjekja thekson se nuk duhet të neglizhohet në rast se fëmija kruan në mënyrë të vazhdueshme sytë.

Ndër shkaktarët kryesorë të sindromës, sipas mjekjes okuliste është mungesa e vitaminës A dhe apo sëmundjeve autoimune. (Mjekja këshillon që prindërit t’i ofrojnë fëmijëve një menu të pasur me acide yndyrore që gjenden tek peshku e perimet.)

Faktorë të tjerë të dëmtimit mund të jenë dhe djegiet apo traumat që mund të përjetojnë fëmijët. Okulistja shton se kjo sindromë është e vështirë për t’u dalluar dhe diagnostikuar, ndaj dhe trendi është në rritje, pasi kapet në faza të fundit.

Sakaq thekson se fëmijët dhe adultët duhet të shmangin ambientet ku konsumohet duhan, vendet me ajër të ngrohtë dhe rrezatimet në dhomë pa dritë.

Nga ana tjetër, okulistja Gjurashaj rekomandon dhe përdorimin e kompresave dhe shkëputjen nga pajisjet teknologjike çdo 20 minuta në mënyrë që syri të çlodhet.

Intervista e plotë:

Çfarë është sindroma e syrit të thatë?

Sindroma e syrit të thatë është një gjendje e zakonshme që vjen si pasojë e mos funksionit normal të syrit.

Cila është grupmosha më e rriskuar për sindromën e syrit të thatë?

Grupmosha që preket më tepër është mbi 50-vjeç. Më shumë preket seksi femër, që lidhet me ndryshimet hormonale. Sidomos gjatë periudhës së shtatzënisë, kur përdoren pilula apo dhe momentin e lindjes e menopauzës.

Faktorët kryesorë që ndikojë tek sindroma e ‘syrit të thatë’?

Faktorët që çojnë në këtë sindromë lidhet me një mekanizëm jo normal ose sasi të vogël të lotit. Loti është një substancë ka përmbajtje të mukosit, të acidit yndyrore dhe të një sasie të ujit. Të gjthë këto ingredientë prodhojnë atë që quhet një fill i lotit, që lubrifikon sytë. Kur mungon kjo përbërje atëherë zhvillohet syri i thatë.  Faktorët janë nga një prodhim i ulët i lotit, që krijon inflamacionin e syrit. Ndaj krijohet një dëmtim të sipërfaqes korneare, xhamit të syrit. Ndjejmë gërvishtje, bezdi apo ndjesinë e një trupi të huaj. Si dhe kruarje apo skuqje syri. Nuk kemi një dietë me vitaminë A dhe dietë të pasur me acide yndyrore, që gjenden në peshk apo perime. Kur nuk kemi sasi të duhur, atëherë dhe loti ka një përbërje të varfër të përbërësit, çka sjell simptomën e syrit të thatë.  Ka dhe kushte patologjike që lindin në sy, me sëmundje autoimune. Sëmundje reaumotizmale apo singren, që është tipike për syrin e thatë. Por edhe sëmundje alergjike. Kjo mund të vijë nga përdorimi i disa produkteve që mund të çojnë në alergji. Por edhe medikamente lidhur me terapive horomonale, anti-depresantët si dhe ulja e ndjeshmërisë në kornenë e syrit. Në moshat e reja ndodh pas përdorimit të lazerit, që përdoret për heqjen e syrit. Por dhe nga dëmtime të tjera, si pasojë e djegieve apo traumat.

Si ndikon teknologjia tek sëmundjet e syrit?

Teknologjia ndikon tepër, pasi sot përdoret më tepër nga moshat e reja. Rastet janë të shtuara shumë në moshat e reja, duke filluar nga fëmijët që mbajnë për orë të tëra aparate celulare apo ipad. Sa më shumë të rish në teknologji dhe rrezatim, aq më tepër syri do thahet dhe përpëlitet. Duhet që syri të bëjë mekanizmin kompesator, shton prodhimin e tepër të ujit dhe nxit sekrecionet mykotike. Teknologjia përmban një rrezatim të dëmshëm që quhet blu, duke dëmtuar retinën dhe pasojat janë shumëvjeçare. Ndryshon ngjyrën e syrit, ndaj duhet që secili të bëj pauza pushimi.  Rrezja blu nxit krijimin e kataraktit apo perdes, deri në humbjen e shikimit. Nuk duhet që të mbahet telefoni afër dhe në dhomë pa dritë.

Si është trendi i kësaj sëmundje, si ka qenë më herët dhe si ka ndryshuar kohët e fundit?

Sindroma e syrit të radhë tek fëmijët ka një trend të rritje dhe në shumicën e rasteve ngelet i padiagnostikuar. Sipas një studimi në 2016 vihej re një shifër prej 6.6%, ndërsa në 2018 shifra kapte vlerën prej 7.36%. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë, por në praktikën profesionale kam vënë re një rritje të kësaj problematike. Fëmijët shpesh hasen me shikim të turbullt dhe sindromën e syrit të thatë apo lotim të shtuar. Kjo sjell një ngadalësim në shkollë, lidhet me shfaqjen e një numri syze.

Kush janë më të prekur fëmijët apo moshat e tretat?

Ka një tendencë në rritje për moshat e reja por më tepër ndikon mosha. Moshat e mëdha preken më shumë, pasi ka të bëjë me plakjen. Teknologjia po ndikon që të rritet trendi i kësaj simptome, ndaj dhe fëmijët po rriskohen. Fëmijët nuk bëjnë përjashtim pasi po përdorin këtë teknologji dhe syri thahet.

Cilat janë simptomat e para?

Ndjesia e skuqjes së syrit apo trupit të huajt. Por dhe sekrecione mykotike që janë rreth syrit, që prishin cilësinë e jetës. Vështirësi për të ngarë makinën natën. Për të vendosur lente kontakti, pasi jo të gjithë mund të mbajnë syze. Ka dhe një ndjeshmëri të tepruar ndaj dritës, apo praninë e një sekrecioni ujor, kjo si pasojë e tharjes së syrit. Kemi ndjesinë e një dhimbje koke apo dhe pjesës së syve. Dëmtohet dhe qendra e syrit, pas përdorimit të tepruar të teknologjisë. Duhet që të kemi kujdes lidhur me rregullat e përdorimit të kompjuterëve.

Cilat duhet të bëjnë prindërit në kushte shtëpie, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve?

E para duhet të evitohet rënia në kontakt të drejtpërdrejtë ndaj atij të kondicionuar në makinë apo shtëpi, si dhe ajri i tharëses së flokëve. Kompjuteri nuk duhet të vendoset mbi nivelin e syve, por duhet të jetë më poshtë. Pra mos hapjen e syve dhe lënien e tyre për një kohë të gjatë. Mos vendosjen e lenteve të kontaktit për një kohë të gjatë, pasi shfaqet pjesa e sindromës. Në rast se fëmijët duhet të punojnë gjatë në kompjuterit, duhet të pushojnë çdo 20 minuta. Në momentin që ndalojnë së punuarit në ipad, të mbyllin sytë për disa minuta në mënyrë që shpërndarja e lotit të bëhet në mënyrë të njëtrajtshme. Adultët nuk duhet të pinë duhan dhe të anashkalojnë ambientet kur pinë duhan. Loti artificial duhet të përdoret nga të gjithë, si fëmijët deri tek moshat e treta. Të përdoret nga 1 deri në 8 herë në varësi të gjendjes së syrit. SI dhe të përdorin syze dielli nëse nuk kanë syze me numër, për të anashkaluar presionet e ajrit ndaj syrit.

Kur është momenti që fëmijët duhet të drejtohen tek mjeku?

Në momentin që kemi simptoma si sy të skuqur, të kruarjes dhe ndikon në lexim, atëherë fëmijët duhet të shkojnë tek një okulist. Alarmante është kur këto simptoma qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Çfarë është rreziku nëse nuk trajtohet në kohë?

Kjo gjendje ka një rëndësi të madhe, pasi prish cilësinë e jetës. Për një person nuk është e lehtë që mos të punojë për orë të gjata apo të ketë kruarje dhe djegie. Është një sëmundje, që trajtohet e qetësohet por nuk mund të shërohet. Pasi në vendin tonë nuk i jepet rëndësi e madhe. E para lidhet me infeksionet, pasi kur syri nuk ka lotin e duhur bën që të krijohet edhe infeksioni, gërvishtje të xhamit të syrit. Fatale do të ishte ulcera e korneale e cila çon në humbje të shikimit. Ndikon në aktivitetin e leximit, pasi ka vështirësi. Ndaj rekomandohet vendosja e disa lenteve apo syzeve me filtra blu, duke mos lejuar që syri të fusë dritë tjetër. Pra të bllokohet rrezatimi menjëherë.

Çfarë rekomandohet për të shmangur efektet negative të rrezatimeve?

Është e rëndësishme që gjithsecili të marrin shërbimin nga okulistët, pasi në të kundërt situata do dëmtohet. Të bëhet ekzaminim për të kuptuar situatën dhe grada e syrit të thatë. Pas diagnoztikimit, duhet të kuptojmë shkakun. Mund të ketë probleme anatomike, ku qepalla e poshtë mund të dalë jashtë dhe dalja e bregut të qerpikëve, të cilat sjellin shqetësime. Në këto raste ka nevojë për trajtime. Duhet parë nga se vuan pacienti, pasi mund të ketë sëmundje kronike apo autoimune në individë të rritur, të cilët përdorin anti-depresantë dhe ato të hipertensionit. Duhen vendosur disa tapa silikoni në mënyrë që sasia e lotit të shpërndahet e gjitha në xhamin e syrit të cilat janë një formë lente.

Të përdoren kompresa dhe masazhe, të dy qepalla që të zhbllokohet gjëndra e lotit.  Të zgjedhim xham optik cilësor, sidomos në moshat e vogla. Pasi teknologjia po rritet dhe rrezikshmëria është e lartë, tendenca e kësaj sindrome është në rritje. Fëmijët nuk duhet të përdorin telefonin, vetëm nëse kërkohet prania në shkollë. Grupmoshat mbi 20 duhet të kujdesen në punë, duke pasur ndriçim dhe të përdorin lotin artificial. Në momentin që kanë dhimbje sysh dhe koke duhet që të ndërpresin punën deri në 1 apo dy ditë në mënyrë që syri të lubrifikohet.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu