OKB: Shumë pak gra të Shtetit Islamik po përballen me drejtësinë

0
Gjigandi

Përpjekjet për ta mposhtur përfundimisht Shtetin Islamik mund të jenë të rrezikuara për shkak të vështirësive të sjelljes përpara drejtësisë të grave anëtare dhe bashkëpunëtore të këtij grupi terrorist. Duke e përshkruar situatën të rënduar, një analizë e re nga Departamenti Ekzekutiv i Komitetit të OKB-së Kundër Terrorizmit (CTED) paralajmëron se shumë pak prej këtyre grave të Shtetit Islamik janë duke mbajtur përgjegjësi, pasi shumë vende kanë ngurruar t’i riatdhesojnë.

“Gratë janë grupimi demografik me nivelin më të ulët të rikthimit nga zona e konfliktit në Irak dhe në Republikën Arabe të Sirisë”, thuhet në raportin e CTED-së të qarkulluar të mërkurën, bazuar në studimin e 80 vendeve anëtare të OKB-së. “Brenda sistemeve gjyqësore, ekziston një nevojë urgjente për trajnim dhe forcim të aftësive në përqasjen me ndjeshmëri gjinore ndaj hetimeve dhe ndjekjeve penale”, shton raporti.
Saktësisht se sa gra anëtare të ISIS-it janë duke u ndjekur penalisht ose mund të akuzohen për krime është e vështirë të thuhet. Analiza e CTED-së thotë se për shumë vende anëtare të OKB-së, “informacioni i saktë mbi fatin e grave të kthyera ishte ose i padisponueshëm ose vetëm pjesërisht i disponueshëm”.
Mungesa e riatdhesimeve
Shumë vende perëndimore kanë refuzuar vazhdimisht të ripranojnë personat që udhëtuan për t’iu bashkuar kalifatit të vetëdeklaruar të Shtetit Islamik. Vende si Britania, Gjermania, Danimarka, Australia dhe Indonezia, ndër të tjera, kanë arritur madje deri në heqjen e nënshtetësisë për shtetasit e tyre që u larguan për t’iu bashkuar ISIS-it. Dhe riatdhesimet që janë bërë për gratë e lidhura me ISIS-in, kanë qenë sporadike.
Një studim, nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit me qendër në Londër, vlerësoi se deri në korrik 2019, ndoshta vetëm 609 nga gratë që patën udhëtuar për t’iu bashkuar ISIS-it, ishin kthyer në vendet e tyre të origjinës. Në të njëjtën kohë, bazuar në vlerësimet e Shteteve të Bashkuara, rreth 18’000 gra të lidhura me ISIS-in vazhduan të qëndrojnë në kampe me persona të zhvendosur, si kampi al-Hol në verilindje të Sirisë, përfshirë 2’000 gra që kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre e mëparshme. Thirrjet e zyrtarëve amerikanë, si dhe nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, që gratë të riatdhesohen në masë, janë injoruar.
Pengesat për mbledhjen e evidencës penale
Disa analistë frikësohen se sa më gjatë ato të qëndrojnë atje, aq më e vështirë do të jetë të mbahet përgjegjësi penale për krimet që mund të kenë kryer. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të mbledhur provat”, thotë Devorah Margolin, studiuese me Programin për Ekstremizmin në Universitetin “George Washington”. “Njerëzit bëhen më pak bashkëpunues”, tha ajo. “Dhe memorja nuk është aq e fortë sa ç’ishte kur ndodhën fillimisht incidentet”.
Studiuesit, si zonja Margolin dhe ata të studimit të CTED-së, vënë në dukje se kur bëhet fjalë për ISIS-in, ekziston tashmë një boshllëk i madh në evidencën e disponueshme. Ndërkohë që ISIS-i dokumentoi dhunën e kryer nga luftëtarët meshkuj në video dhe materiale të tjera propagandistike, rrallë tregoi gra në situata të tilla. “Ka një ndarje shumë të madhe mes gjinive, dhe pjesë e kësaj, posaçërisht për një grup si Shteti Islamik, është heqja e grave nga imazhet”, tha zonja Margolin. “Nuk do të thotë se nën Shtetin Islamik nuk kishte gjithashtu mizori të kryera nga gratë”, shtoi ajo. “Ne e dimë se gratë ishin pjesë e policisë së moralit, që merreshin me gratë e tjera, dhe gjithashtu pjesë e tregtisë seksuale të skllaveve”.
Duke e komplikuar më tej situatën, studiuesit e OKB-së zbuluan se madje jo të gjitha vendet janë të gatshme të marrin në konsideratë mundësinë që disa nga gratë e ISIS-it duhet të përballen me drejtësinë. “Tendenca për t’i parë gratë si ndjekëse pasive të burrave të tyre vazhdon të mbizotërojë”, konstanton analiza e CTED-së. “Kjo, së bashku me sfidat për evidencën, kontribuon në nivele të ulëta të dënimeve dhe / ose dënime më të shkurtra ose të pezulluara”. Raporti konstatoi se, në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut në veçanti, gratë e lidhura me grupin terrorist ka të ngjarë të marrin dënime më të buta se burrat e lidhur me ISIS-in. Të tjera duket se i kanë shpëtuar drejtësisë plotësisht.
“Në Ballkan, qeveritë nuk nxorën përgjegjësitë për përkrahjen jo-luftarake të ofruar nga bashkëpunëtoret femra të Shtetit Islamik dhe shumica e grave të kthyera kanë shmangur plotësisht ndjekjen penale”, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet email-it Jamille Bigio, një studiuese e lartë e Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë. Edhe vendet e tjera, si Gjermania dhe Iraku, kanë reaguar ndaj vështirësive në marrjen e provave duke adoptuar një qasje shumë të ndryshme, shumë më të ashpër. “Ka tregues se gratë po marrin dënime të ashpra në mënyrë disproporcionale në krahasim me burrat, përfshirë dënimet me burgim të përjetshëm ose dënimin me vdekje për thjesht ‘shoqërimin’ me luftëtarët e ISIS-it”, zbuloi analiza e OKB-së.
Një rikthim në ekstremizëm?
Sidoqoftë, nëse gratë e lidhura me ISIS-in që hyjnë në sistemin e drejtësisë të vendeve të ndryshme trajtohen shumë më ashpër ose jo me ashpërsinë e duhur, ekziston shqetësimi se në perspektivën afatgjatë, gjasat që ato të mbërthehen pas apo të kthehen tek bindjet e tyre ekstremiste janë të larta. Analiza e OKB-së zbuloi se me kaq pak gra që u sollën në vendet e tyre të origjinës për t’u përballur me drejtësinë, është bërë shumë pak për të zhvilluar programe që mund t’i ndihmojnë disa prej tyre përfundimisht të riintegrohen në shoqëri pasi të kenë përfunduar vuajtjen e dënimit.
Zonja Bigio, e cila shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën ish-Presidentin Barack Obama, është dakort. “Programet e burgut dhe të rehabilitimit të krijuara për burrat nuk arrijnë të trajtojnë shkaqet themelore të radikalizmit të grave”, tha ajo, duke theksuar se gratë që anëtarësohen në grupe ekstremiste shpesh kanë raportuar se “anëtarësimi u ofronte liri më të madhe sesa mund të gjendej në shoqërinë tradicionale”. Dhe ajo që u ofrohet shumë grave të lidhura me ISIS-in mund të mos jetë një alternativë më e mirë. “Programet shpesh nuk arrijnë të ofrojnë trajnime për aftësitë e jetesës që mund t’i ndihmojnë gratë të mbështesin veten dhe fëmijët e tyre. Në vend të kësaj ofrojnë trajnime në aktivitete stereotipe femërore, me paga të ulëta, si modelimi i flokëve dhe rrobaqepësia”, tha zonja Bigio./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu