Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se Këshilli i Ministrave kaloi një projektligj për autonominë spitalore. Sipas saj, ky projektligj synon që të japë një pavarësi të sistemit shëndetësor, e që pritet të nisë fillimisht nga Memoriali i Fierit.
Ajo bëri me dije se një grup ekspertësh do të hartojnë planin kombëtar spitalor.
“Synohet të kalojmë në një nivel të ri të shërbimit spitalor dhe për t’i dhënë një hov të ri sistemit spitalor. Është një projektligj që do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare dhe do të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor në Shqipëri, modelin e autonomisë spitalore. Kjo vjen në këtë sistem të ri nëpërmjet kartës së performancës që plotësohet sipas kritereve të përcaktuara nga spitalet që kanë aftësi menaxheriale.
Karta e autonomisë spitalore do të ketë disa nivele të përshkallëzuar pasi i hap rrugën autonomisë. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve spitalore dhe një miradministrim i burimeve njerëzore dhe financiare. Ekspertet do të hartojnë planin kombëtar spitalor. Do të kemi një organizim të spitaleve dhe për herë të parë do të kemi spitale që ofrojnë shërbime edhe në bazë rajoni. Do të krijojmë polet rajonale të shërbimeve spitalore
.”