Në fshatin Vidohovë të Devollit ka nisur ndërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i Qershorit. Por banorët pretendojnë se përzgjedhja e banesave që do të ndërtohen është bazuar mbi bindje politike dhe procesit i ka munguar transparenca.
Pas Floqit dhe Qafëzezit, ka filluar rindërtimi i shtëpive të rrënuara nga tërmeti edhe në fshatin Vidohovë të Devollit. Punimet po kryhen në dy prej shtëpive,që u vlerësuan si të pabanueshme nga komisioni i vlerësimit të dëmeve.
Ndërhyrje të plota do të ketë edhe në tetë shtëpi të tjera,që kanë pësuar dëme të rënda. Procesi ka sjelle pakënaqësi tek familjet,të cilat edhe pse jetojnë prej qershorit në çadër nuk janë trajtuar me përparësi nga komisioni.
Në kushtet e pamundësisë për të riparuar vetë shtëpitë e dëmtuara, ata kërkojnë që punimet nga subjektet ndërtuese të përfundojnë para ardhjes së dimrit. Banorët apelojnë për trajtim të barabartë të të gjitha familjeve të prekura.
Tërmeti i Qershorit la të pastreha mbi 40 familje në fshatin Vidohovë, dhjetë prej të cilave u rrafshuan.