Një 62-vjecar nga Korça ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht vajzën e tij 8 vjeç. Jani Kallanxhi u arrestua mëngjesin e sotëm pas denoncimit që ka bërë në prokurori një punonjëse sociale e Bashkisë së Korçës.
Punonjësja sociale kishte komunikuar rreth një javë më parë me të miturën para se bashkia të strehonte vogëlushen dhe dy prindërit e saj, deri atëherë të pastrehë, në një apartament në lagjen 18 të qytetit.
Gjatë bisedës, vajza kishte kryer veprime e gjeste që tregonin frikë. Bazuar në to, punonjësja sociale e bashkisë ngriti dyshime se e mitura abuzohej seksualisht dhe e referoi rastin ne prokurorinë e Korçes.
Për të vërtetuar dyshimet, me lejen e organit të akuzës, në apartamentin e familjes Kallanxhi u vendos kamera. Pamjet e regjistruara treguan se babai 62-vjeçar prekte vajzën e tij të mitur në pjesë intime të trupit.
Pas kësaj Jani Kallanxhi u vu në pranga nga policia, ndërsa e bija 8-vjeçare u dërgua në një qendër sociale në Tiranë. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse e mitura është dhunuar seksualisht.
62-vjeçari Jani Kallanxhi është i papunë dhe njihet si person i alkoolizuar.
Ndërsa bashkëshortja e tij vuan nga shqetësime të shëndetit mendor. Çifti ka vetëm këtë vajzë, të cilën pas lindjes, e dërguan në shtëpinë e fëmijës. Por pas disa vitesh e morën sërish. 8-vjeçarja është fëmijë me aftësi të kufizuara.