Konferenca për pasuritë kriminale mblodhi bashkë në Tiranë gjyqtarët, prokurorë dhe këshilltarë gjyqësorë nga Ballkani Perëndimor.
Kreu i SPAK, Arben Kraja, në fjalën e tij tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni në mënyrë të vazhdueshme tenton të prodhojë produkte, asete apo pasuri, të cilat i përdor për të ricikluar aktivitetin kriminal, për të korruptuar sistemin për të mos u dënuar, për të deformuar sistemin, ekonominë e lirë dhe konkurrencën.
Ai shtoi se në raste jo pak të rralla bëhet shkak për përplasje mes grupeve kriminale që sjellin më pas vrasje.
Sipas Krajës, “duhet një strategji e qartë dhe prioritet për të evidentuar në radhë të parë pasuritë kriminale dhe asetet, për të pasur një mekanizëm për ti marrë ato, sekuestruar dhe konfiskuar dhe pastaj për ti kthyer në favor të publikut, qoftë të dëmtuarve nga vepra kriminale apo në favor të institucioneve që luftojnë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Kraja tha se SPAK dhe BKH e kanë prioritet të saj këtë aktivitet, duke shtuar se hetimi financiar është bërë i domosdoshëm në çdo hetim që kryhet.
Kreu i SPAK bëri dhe një bilanc të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive kriminale përgjatë vitit që lamë pas. Kraja tha se të gjitha këto pasuri i janë rikthyer publikut dhe shtetit.
Nga ana tjetër ai shtoi se po mundohen të përdorim me efektivitet fondet e konfiskuara dhe për këtë solli shembulin e ngritjes së një laboratori.
“Nga këto fonde ne në SPAK kemi ngritur një laborator dixhital shumë modern të cilin e përdorim për rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale”.
Shifrat për 2021
-Në bazë të ligjit Antimafia gjatë 2021 janë dhënë 5 vendime konfiskimi që përfshijnë 9 pasuri të luajtshme, 1 të paluajtshme, 3.4 mln euro në llogari bankare.
-Kemi sekuestrime në bazë të ligjit Antimafia, 14 vendime. Lista e pasurive është shumë e gjatë dhe me vlera të konsidertuëeshme. Janë 21 pasuri të luajtshme, 67 të paluajtshme, 11 subjekte tregtare, 20 mln lekë shqiptare dhe 1 mln euro në llogari bankare.
-Po ti kthehemi procesit penal, gjatë 2021 kemi 6 vendime sekuestrimi që përfshijnë 25 pasuri të paluajtshme duke përfshirë 200 mijë metra katrorë tokë në zona të lakmueshme bregdetare në Adriatik, subjekte tregtare të ndryshme, 18.6 mln euro në llogari bankare.
-Vendimet e konfiskimit në proces penal janë 41, që përfshijnë hotele, 300 mijë metra katrorë truall në bregdetin e Shëngjinit.