Neymar dhe Mbappe janë “kryefjala” e merkatos së verës, me të parin që kërkohet nga Barcelona dhe francezin që ndiqet nga Reali i Madridit, por pavarësisht zërave që kanë qarkulluar së fundmi, të dy duket se nuk do të largohen nga Paris Saint Germain.
Sipas asaj që raporton gazeta franceze L’Equipe, dyshja e sulmit parizien do të vazhdojë aventurën te skuadra e Thomas Tuchel. Edhe pse vështirësitë financiare të shkaktuara nga Covid-19 mund të kthehen ne një problem për botën e futbollit, drejtuesit e klubit francez nuk kanë aspak ndërmend të privohen nga Neymar dhe Kilian Mbappe.
Interesimi i vazhdueshëm i Realit të Madridit për Mbappe, ka hasur në rezistencën e kreut të klubit parizien, Naser Al-Khelaifi, i cili ka qenë i prerë në përgjigjen e tij, duke u mbyllur kështu derën “mbretërove”.
Sulmuesi francez ka një kontratë me klubin që skadon në 2022-shin, ndërsa përsa i përket rinovimit, edhe pse Mbappe ende nuk është ulur në bisedime, PSG është optimiste se në fund akordi do të arrihet.
Për Neymar situata paraqitet disi më ndryshe, por rikthimi i tij te Barcelona duket i pamundur për shkak të vështirësive ekonomike që ka klubi spanjoll. Nisur nga kjo duket se edhe këtë sezon, aventura e brazilianit do të vazhdojë të jetë e fokusuar në Paris.