Këtu e 23 vite më parë pikërisht në ditën e fillimit të fundit të pushtetit paramilitar dhe ushtarak serb në Kosovë kur nisin bombardimet e aleancës së NATO-së kundër caqeve serbe, nata e kobit e krimit preku dy figura kryesore të organizimit, sistemit institucional dhe jetës në Mitrovicë poetit dhe profesorit Latif Berisha dhe veprimtarit, inxhinierit dhe sindikalistit Agim Hajrizi.
Sot 21 vite pas ditës kur serbët provuan forcën në kurrizin e tyre, kur fluturimet dhe bombardimet po gjenin secilën skutë ku futeshin si mburojë paramilitarët dhe makineria serbe, dhembja, krenaria dhe përkushtimi i këtyre dy burrave mitrovicas nuk është zbehur aspak, ndonëse përkujtimi është sjell vetëm në homazhe dhe tufa me lule te varret e tyre.
Nata e bombardimeve te mitrovicasit ngjalli shpresën për liri dhe çlirim, por në të njëjtën natë mori me vete jetën e dy atdhetarëve të shquar: Latif Berishës dhe Agim Hajrizit, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999.
Sot në këtë përvjetor nuk ka si mos të përkujtohen figurat e Latif Berishës dhe Agim Hajrizit, dy veprimtarëve të shquar për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, që u bënë caku i qëllimeve djallëzore të kriminelëve serbë dhe intelektualët e parë të vrarë pas urdhrit për sulme ajrore ndaj forcave ushtarake e paramilitare serbe.
” Pikërisht në përvjetorin e bombardimeve dhe fillimin e realizimit të shpresës së kamotshme të shumë brezave për liri, drejtësi e pavarësi, Mitrovica humbi dy bashkëqytetarë, veprimtarë dhe mbështetës të rrugës institucionale, që në kohët më të vështira ditën dhe patën guxim të organizojnë një lëvizje të tërë paralele të jetës në Mitrovicë. Natyrisht se një minutë heshtje një tufë me lule është tepër pak për t’i përkujtuar e për t’i nderuar veprimtarët e shquar për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, profesor Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, të cilët u vranë, si sot e 21 vjet më parë, në pragun e shtëpisë së tyre, nga forcat e një regjimi të kriminalizuar në të gjithë hierarkinë e vet shtetërore”,
thekson kryetari i LDK-së dhe nënkryetari i komunës së Mitrovicës Safet Kamberi.
Figura e Latif Berishës është një mozaik i plotë i angazhimit, përkushtimit dhe aktiviteteve, ai ishte poet, profesor, studiues e veprimtar i dalluar politik. Shëmbëlltyra e tij rrezatonte urtësi të veçantë, e cila reflektohej në frymën e mirëkuptimit, të afrisë dhe të bashkëpunimit kudo që vepronte ai, qoftë në jetën kulturore, qoftë në atë politike e shoqërore.
Profesor Latif Berisha ishte shembull i njeriut të urtë e të qetë, shembull i veçantë në vepër e në jetë, ishte pishtar i arsimit, sidomos atij universitar, ku ka shërbyer dhe kaluar çastet më kulmore të jetës së tij krijuese e profesionale.
Fat të njëjtë me bashkëveprimtarin profesor Latif Berishën, pati edhe aktivisti inxhinieri, sindikalisti Agim Hajrizi, jeta e të cilët u shua në ditën kur po agonte shkëndija e lirisë së Kosovës, më 24 mars 1999.
Agim Hajrizi ka qenë kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një kohë kur edhe veprimtaria sindikale, njësoj si çdo veprimtari tjetër, ishte tepër e rrezikshme.
Pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie të palodhshme qytetare e kombëtare, ai u ekzekutua bashkë me nënën dhe të birin e tij, Ilirin. Kështu, një tragjedi tjetër, në lumin e pafund të tragjedive që po përjetonte përditë populli ynë, iu shtua Mitrovicës e Kosovës.
Vrasja e këtyre dy burrave është një dramë tjetër tmerri nga ato që mund dhe dinë t’i bëjnë vetëm forcat më të errëta të shoqërisë njerëzore, të cilat, atë kohë, nxiteshin dhe dirigjoheshin drejtpërdrejt nga kreu shtetëror serb, të cilët kanë ditur se nga vjen rreziku dhe me cilat vrasje do ju shkatërrojnë shpresën dhe krahun qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës.
Ndërkohë pas kaç viteve të ndërhyrjes së NATO-së, pas dëbimit të forcave paramilitare e ushtarake serbe nga Kosova për fat të keq, Mitrovica dhe pjesa veriore e vendit tonë ballafaqohet me struktura që mbjellin krim ekonomik dhe politik, me qëllimin e vetëm që ta mbajnë këtë pjesë në gjendje kaotike dhe të proklamojnë pastaj se Kosova nuk është vend stabil dhe nuk mund të qëndrojë më vete si shtet i pavarur e sovran.
Mirëpo ata që kryen krime dhe që nxitën dhunën nuk ia dolën të zbehin gatishmërinë dhe përkushtimin e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtet demokratik frazat këto më të shpeshta të mbajtjes së shpresës, organizimit dhe angazhimit të profesor Latifit dhe Agimit.
Kosova është vend demokratik dhe i pavarur dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, edhe ata që ende mendojnë se mund ta përmbysin rrjedhën e historisë dhe ta ndalojnë procesin e pakthyeshëm të integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike.