Ndryshon ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, ja çfarë pritet

0
Gjigandi

Personat që thyejnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale do të përballen me gjoba më të larta se më parë.

Mësohet se përmes ndryshimeve në projektligj për mbrojtjen e të dhënave do të vendoset një sistem i ri masash administrative. Në ndryshim nga ligji aktual, në atë pasardhës priten për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Njoftimi i plotë:

Ndryshimet e projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” në raport me ligjin në fuqi Nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ndryshimi i parë lidhet me përmirësimin e përkufizimit të termave të përdorur në projektligj, si dhe në prezantimin e termave të reja. Konkretisht, në një nga termat më të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale është pëlqimi. Përkufizimi i këtij termi ka ndryshuar në mënyrë tillë që si pëlqim të merret çdo element tregues të vullnetit të subjektit të të dhënave, të dhënë lirisht, të informuar dhe të qartë nëpërmjet të cilit ai, me anë të një deklarate ose me një veprim të qartë pohues, shpreh dakordësinë për përpunimin e të dhënave personale që lidhen me të, për një ose më shumë qëllime specifike. Ndërkaq, janë prezantuar terma të reja në projektligj si, përpunimi i mëtejshëm, të dhënat e pseudonimizuara, si dhe shtimi i kategorive të të dhënave sensitive.

Në drejtim të të drejtave të subjekteve të të dhënave, projektligji jo vetëm që përmirëson dhe zgjeron të drejtat e tyre të parashikuara nga ligji në fuqi, por parashikon për herë të parë edhe të drejta të reja si e drejta për t’u harruar dhe e drejta për transferueshmërinë e të dhënave. Gjithashtu, parimet dhe kriteret për përpunimin e të dhënave personale edhe pse mbeten të njëjta, përshkruhen në mënyrë më të detajuar dhe të hollësishme. Në funksion të mbrojtjes efektive të të dhënave personale, krahas detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni aktual parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit si: kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi, detyrimi për tu konsultuar paraprakisht me Komisionarin përpara fillimit të përpunimit të dhënave, në rast se ky përpunim rezulton me rrezik të lartë për subjektin e të dhënave, detyrimi për emërimin e një nëpunësi të mbrojtjes së të dhënave, si dhe prezantimi për herë të parë i kodeve të sjelljes dhe mekanizmave të certifikimit.

RonaTyra

Në ndryshim nga ligji aktual i cili nuk përmban parashikime të posaçme, me këtë projektligj parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale. Një ndryshim thelbësor që sjell ky projektligji është rishikimi i mandati dhe kompetencave të Komisionerit në interes të pavarësisë së tij dhe ushtrimit të funksionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit duke parashikuar për herë të parë, kompetenca ndihmëse, hetimore dhe korrigjuese.

Projektligji prezanton një sistem të ri sanksionesh administrative për shkeljen e dispozitave të tij duke rritur në mënyrë të konsiderueshme masën e gjobës, e cila unifikohet me masën e gjobës që zbatohet nga vendet e Bashkimit Evropian, si një tregues i qartë për rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave personale dhe zbatimi i detyrimeve që burojnë nga kuadri ligjor në këtë fushë

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu