Besar Musolli premton “luftë” deri në sekondën e fundit. Te Kukësi nuk kanë në plan që të dorëzohen për titullin, ndaj në këto 10 javë do të bëjnë çmos që të tentojnë përmbysjen e madhe. Diferencat me Tiranën janë vërtet të mëdha, por ky fakt nuk e demoralizon as kapitenin.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 31-vjeçari zbulon se e pati të vështirë përshtatjen pas pushimeve të stërzgjatura. Mesfushori lutet që mos të ketë më dëmtime, ndërsa pohon se për të ardhmen do të vendosë vetëm pasi të mbarojë ky kampionat.
Pas një pauze të gjatë, si kanë qenë këto dy javë stërvitje?
U munduam të kapim ritmin sa më shpejt, por duke u siguruar që të mos dëmtoheshim. Pak nga pak morëm ngarkesën e duhur dhe tani mund të themi se po stërvitemi normalisht.
Nesër zbrisni në fushë pas gati 3 muajsh mungesë, ka diçka që ju shqetëson pas këtij rikthimi?
Pushimi i detyruar që bëmë është shqetësimi më i madh. Shpresoj që të mos ndikojë shumë dhe ta kalojmë sa më lehtë, pa pësuar dëmtime, pasi dihet që nuk kemi të njëjtën formë pa aktivitet fizik.
Prisni ndonjë “nder” nga Bylisi për ndeshjen kundër Tiranës?
Ne kemi një ndeshje me Luftëtarin dhe jemi përqendruar te sfida që kemi në prag. Duhet të japim maksimumin dhe t’i marrim javët një nga një, pa pritur se çfarë bën kundërshtari.
Do të luani ndaj Luftëtarit, një ekip që ju mori pikë në fazën e dytë. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Ndeshje të lehta këtë sezon nuk ka pasur dhe nuk besoj se do të ketë. Të gjitha skuadrat kanë një objektiv dhe duhet vlerësuar çdo kundërshtar njësoj. Shpresoj të reagojmë mirë pas pushimit të gjatë që kaluam.
Prej dy sezonesh jeni mësuar të luani në fusha asnjanëse dhe me shumë pak tifozë. Fakti që do të luhet pa spektatorë në pjesën e mbetur të kampionatit, ju shkon përshtat si ekip?
Tifozëria është bukuria e futbollit. Është fakt që ne jemi mësuar pa tifozë, ndërkohë që kemi fituar edhe në transferta dhe në ndeshje ku ka pasur shumë tifozë kundërshtarë. Prandaj them se nuk do të ketë ndonjë ndryshim për ne.
Jeni 9 pikë pas Tiranës, pse besoni se mund ta përmbysni dhe kur do të vendoset kampionati sipas jush?
Pak javë më parë ishim në vendin e parë dhe sot në vendin e dytë, me 9 pikë diferencë. Kjo do të thotë se është një garë ku gjithçka mund të ndodhë. Kampionati do të vendoset kur të mos ketë më vend as për matematikë.
Ky do të jetë sezoni juaj i fundit te Kukësi apo do të rinovoni sërish?
Jam i përqendruar tek e tashmja. Të përfundojmë me sukses kampionatin ku shpresoj edhe një titull kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Sa i përket të ardhmes, për të do të filloj të mendoj vetëm pasi të përfundojë kampionati.