Analisti Imer Mushkolaj ka folur lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të gjeturat për raportin e Qeverisë dhe Presidencës me mediat.
Mushkolaj përmendi se si zyrtarë nga kabineti si i presidentes ashtu edhe nga i kryeministrit kanë kritikuar dhe kanë përdorur gjuhë jo të duhur për mediat në Kosovë.
“Nuk mund të thuhet se një shef i kabinetit të dikujt ose një këshilltar i lartë politik mund të bëjë një veprim, në këtë rast të postojë një deklaratë në rrjete sociale që i kritikon dhe i përligj gazetarët të mos e dijë shefi i tij ose shefja e tij. Është absurde të mendosh një gjë të tillë. Ky është shqetësimi kryesor, sepse më pas ne nuk kemi reagim nga shefat e tyre. Nuk kemi parë as reagim të znj.presidente e as të z. Kryeministrit në shumë raste kur nga njerëz të tyre janë sulmuar gazetarët dhe mediat”,
deklaroi Mushkolaj.
Ai e përmendi edhe rastin e bashkëshortit të presidentes Prindon Sadriu, që i quajti mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese. Janë quajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale duke nisur nga bashkëshorti i znj. Osmani”
, tha ai.
E për këtë deklaratë, sipas Mushkolajt, Sadriu do të duhej që të shkarkohej.
“Në një shtet normal, me një qeveri normale një pretendim, ose disa pretendime të z.Sadriu që përveç është zotëria i parë i shtetit është edhe diplomati i parë në Maqedoninë e Veriut, ai absolutisht do të duhej të shkarkohej nga posti i tij. S’kemi parë asnjë veprim nga shefja e tij, znj.Gërvalla dhe përpjekje për arsyetimin e veprimeve të tij nga presidentja”,
ka thënë ai.