Tirana dhe Moska shkëmbyen sot replika lidhur me bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv gjatë sulmeve ruse në këtë qytet, i dyti për nga madhësia në Ukrainë.
Ngjarja u denoncua në 7 mars nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë shoqëruar dhe me foto të Konsullatës, e cila ndodhej në katin e parë të një ndërtese disakatëshe, e cila siç mësohet ishte goditur me 3 bomba.
“Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”,
shkruhej në njoftimin e Ministrisë shqiptare. Konsullata e Nderit e Shqipërisë, është e vetmja përfaqësi diplomatike në Kharkiv.
Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv, e shkatërruar nga sulmet ruse
Reagimi i Moskës erdhi vetëm sot, 10 ditë pas denoncimit të palës shqiptare. Në një postim në Twitter-in e Ministrisë së Jashtme ruse shkruhet se Shqipëria
“dënoi sulmet e supozuara të ushtrisë ruse që rezultuan në dëmtimin e ambienteve të Konsullatës së Nderit të vendit në Kharkiv”
duke shtuar pas kësaj se
“ne i hedhim poshtë me forcë akuzat dhe kërkojmë që publiku të informohet saktë”.
Reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm, duke folur për “lajme të rreme” nga pala ruse, ndërsa në Twitterin e Ministrisë së Jashtme shqiptare është publikuar edhe video e ndërtesës së goditur.
“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”,
shkruhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare./VOA