Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur sot se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë vlerë e shtuar për paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon dhe Evropë.
Në një postim në rrjete sociale, Meta ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare që “të mobilizohen dhe të bëjnë çdo përpjekje për ta kthyer këtë mundësi historike në sukses”.
“Kosova dorëzoi dje, në një seancë të jashtëzakonshme, aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kosova sot mishëron plotësisht parimet themelore të KE që lidhen me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor”, ka shtuar Meta.
“Kosova anëtare e KE do të jetë një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë dhe Evropë”, ka thënë në përmbyllje të postimit Presidenti.
Kujtojmë që dje, Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në KE.
“Kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, ka thënë Rama në një intervistë gjatë vizitës së tij në Bruksel.
/abc24.al/