Inter-Mertens, ndoshta në momentin më të bukur dhe vendimtar, Napoli u vendos në mes. Presidenti i klubit jugor i ofroi belgut rinovimin e kontratës dhe lojtari, edhe për shkak të dashurisë me qytetin dhe tifozët, duket se tashmë është pranë pranimit të propozimit.
Do t’i kishte garantuar një dozë të mirë eksperience një reparti që shumë shpejt po përgatitet për një revolucion: do të ikin Sançez dhe Espozito (njëri me drejtim Junajtidin, tjetri ende pa destinacin, por do të huazohet për eksperiencë), e thuajse me siguri edhe Lautaro (drejt Barçës); ndaj do të nevojiten zëvendësues, forca të reja për sezonin e ardhshëm.
Dhe përtej Timo Vernerit të Lajpcigut, që preferohet për nga mosha e re, në listën e Marotës dhe Auzilios ndodhet prej disa kohësh emri i Edinson Kavanit. Uruguaiani i PSG-së, po ashtu si Mertens, është në skadencë kontrate dhe duket se në kryeqytetin francez ia kanë gjetur zëvendësuesin. Asgjë më pak se ishkapitenin e Interit, Mauro Ikardin, të cilin klubi i Al-Khelaifit thuajse me siguri do ta shlyejë për 70 milionë euro. Kështu që, “Matador”, edhe ai në skadencë kontrate, po shikon edhe alternativat përreth.
“JO” SIMEONES – Sipas raportimit të mediave italiane, 33-vjeçari ka pasur edhe kontaktin e dytë me drejtuesit zikaltër, pas një telefonate të parë jo më shumë se përpara disa javësh. Në bisedën e fundit janë diskutuar termat e një akordi të mundshëm. Në Francë lojtari përfiton 12 milionë euro neto në vit dhe u ka kërkuar zikaltërve një kontratë dyvjeçare prej së paku 8 milionë eurosh neto në sezon. Ndër të tjera së fundmi duhet regjistruar edhe refuzimi i Kavanit për interesimin e Atletikos së Madridit të Diego Simeones.
SULMUES TOTAL – Kavani kështu rikthehet në “orbitën” e Interit, për gëzimin e Kontes, sepse diçka është e sigurt. Uruguaiani është futbollisti ideal për trajnerin zikaltër; pa e tepruar, edhe më shumë se Lukaku. Jo rastësisht Konte e ka ndjekur gjithmonë (edhe te Çelsi). Sepse, e konsideron një sulmues total i cili, edhe pse me kalimin e moshës ka qenë i detyruar të ngushtojë rrezen e veprimit, shkon të mbrojë edhe brenda zonës së tij nëse nevojitet.
Edhe në këtë sezon të turbulluar, “Matadori” ka shënuar 4 gola dhe shërbyer 2 asiste në 14 ndeshje të Ligës 1, 1 në Champions në 3 ndeshje dhe 2 në Kupën e Francës në 3 ndeshje. Me Lukakun mund të alternohen. Do të jetë aftësi e Kontes të krijojë lëvizjet, por ka në duar megjithatë dy numra 9 të frikshëm.