Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka treguar propozimin që aleatët kishin për Bashën dhe Berishën sa i përket kandidatit me të cilin do të garonin në zgjedhjet lokale të pjesshme.
Sipas asaj që tregoi Mediu, ai ka biseduar me Berishën dhe Bashën përpara 6 Marsit për mundësinë që opozita të kandidonte me një kandidat të vetëm. Pasi propozimi i futjes në zgjedhje me një kandidat nuk u mor parasysh, Mediu thotë që vendosën të mos merrnin pjesë.
Rezultati ishte që Partia Demokratike kandidoi me të zgjedhurit e saj dhe lëvizja e udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha krijoi me LSI-në “Shtëpinë e Lirisë.”
Ideja e hedhur sipas propozimit të Mediut ishte që zhvilloheshin primare të hapura me anë të të cilave do të zgjidheshin kandidatët më të mirë, për të cilët do të kishin mundësi të votonin edhe qytetarët, jo vetëm strukturat e partisë.
“Kishte mospranueshmëri për të ecur bashkë. S’u bëmë palë. Qëndrimi im i vetëm është për opozitë të bashkuar. Në nivel lokal mund t’i bashkonim strukturat politike, si ata të Berishës si ata të Bashës.”
Kurse, i pyetur për situatën aktuale në të cilën gjendjet kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ka mbetur pa mbështetjen e Grupit të tij Parlamentar, Mediu tha se mbështet qëndrimin e shumicës së deputetëve dhe se dorëheqja duhet dhënë sa më shpejt.
“I kam kërkuar të marrë vendim sa më shpejt dhe sa më racional. Pa e lënë veten të marrin vendim të tjerët për të. Vendimi më racional është dorëheqja.”
Sipas kreut të PR, në PD duhet të krijohet një bord i përbashkët nga të dyja grupet dhe në krye të vendosen njerëz me autoritetet që kanë kontribuar për PD-në dhe që nuk kanë qëllime të menjëhershme për lidershipin e partisë.