Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Portin e Durrësit me akuzën e trafikimit të armëve dhe municionit.
Burime për median bëjnë me dije se në pranga ka rënë E. V., 44 vjeç, banues në Lezhë.
Njoftimi i policisë
Port Durrës / Kontrolle intensive, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Erdhi nga Italia me armë zjarri, municion luftarak dhe armë të ftohtë me vete, vihet në pranga 44-vjeçari që u kap nga shërbimet e Policisë, në tentativë për t’i trafikuar armët në vendin tonë.
Arrestimi i 44-vjeçarit, si rezultat i operacionit policor të koduar “Parandalimi”, i zhvilluar nga shërbimet e Portit të Durrësit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit
Shërbimet e Portit të Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit dhe me autoritetet doganore të këtij Porti, si rezultat i kontrolleve intensive në hyrje/dalje ndaj shtetasve dhe mjeteve të transportit me të cilat ata udhëtojnë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parandalimi”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. V., 44 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e 44-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një mjet prerës (thikë) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat, i arrestuari dyshohet se do t’i trafikonte drejt vendit tonë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.