Mbetjet plastike vrasin mjedisin, shqiptarët përdorues të 3.2 miliardë qeseve në vit

0
Mbetjet plastike vrasin mjedisin, shqiptarët përdorues të 3.2 miliardë qeseve në vit
Gjigandi

Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike. Njëzet e gjashtë mijë ton në vit përafrisht.

Ato gjenden kudo, në çdo dyqan apo supermarket, në sirtarët e kuzhinës së pothuajse çdo familjeje shqiptare, për të derivuar në koshat e plehrave, rrugë, të ngecura në degët e pemëve, duke fluturuar në ajër apo duke lundruar në dete e lumenj.

Njëlloj, mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që hamë dhe ajrin që thithim çdo ditë – edhe në këto momente.

Ndikimi nga kontaminimi i tyre në mjedis është dramatik. Por po aq dramatik është edhe ndikimi në shëndetin e njeriut – duke nisur nga moshat e vjetra, gratë, burrat, të rinjtë dhe të reja, fëmijët, janë të ekspozuar ndaj efekteve të rrezikshme të qeseve plastike.

Materiali i tyre nuk tretet lehtë – duhen 500 vjet që një qese plastike të tretet. Por gjatë kohës së dekompozimit ajo shpërndahet në mikroplastika, pjesë të vogla që shpërndahen dhe përhapen për të qenë të pranishme kudo ku ndodhemi, në çdo gjë që bëjmë.

RonaTyra

Rreziku mjedisor ka bërë që në dekadën e fundit shumë qeveri në botë të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë me shpejtësi. Në Europë, BE ofron direktiva të qarta drejt minimizimit dhe ndalimit të përdorimit të qeseve plastike duke synuar efekte pozitive afatgjata në mbrojtjen e mjedisit.

Ndikimi dhe sfidat në Shqipëri

Qeset plastike mbajtëse përbëjnë një prej ndotësve kryesore të mjedisit shqiptar.
Sfidat me ndotjen e mjedisit dhe rreziku prej tij janë të larta. Vitet e fundit raste alarmante kanë qenë jo pak shqetësuese.

Në vitin 2019, sasia e madhe e ndotjes në lumin Erzen bëri që të gjitha gjallesat, kryesisht peshq të dilnin në sipërfaqe të ngordhur. E njëjta situatë degraduese është shfaqur edhe në Liqenin e Fierzës. Sezoni veror ku turizmi shndërrohet në sektorin më të gjallëruar të ekonomisë, përfshin gjithashtu edhe akumulimin më të madh të qeseve plastike përgjatë vijës bregdetare, një pjesë e të cilave edhe gjatë pjesës së vitit qendrojnë po aty.

Në një vëzhgim të disa supërmarketeve dhe dyqaneve në Tiranë rezulton se qytetarët janë të varur nga përdorimi masiv i qeseve plastike njëpërdorimshme.

Në tregun e fruta perimeve përdorimi është edhe më i lartë. Mund të shkojë nga 3 deri në 6-7 qese vetëm nga një konsumator. Rastet kur qytetari mund të ketë çantë pazari shumë përdorimshme prej rrobe (ato mund të përdoren deri ne 130 here) janë shumë të rralla.

Deri tani sfida më e madhe kanë qenë mekanizmat e duhur frenues të ndalimit të përdorimit të qeseve plastike si dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bizneseve për t’iu bashkuar dhe kontribuar për një mjedis më të shëndetshëm.

Shqipëria, në prag të ndalimit të qeseve plastike

Në Shqipëri ka pasur disa përpjekje ndër vite për shmangien e përdorimit të qeseve. Nisma e parë në zvogëlimin e përdorimit të qeseve plastike ishte para 5 vitesh, ku supermarketeve i’u ndalua ofrimi i qaseve plastike falas dhe shitja e tyre kundrejt një pagese me qëllim.

Megjithëse nuk ka një statistikë që tregon se sa efektive ka qenë kjo masë, fakt është që konsumatorët dalin nga çdo dyqan e supermarket duke mbajtur në duar qese me produkte të ndryshme.

Së fundmi, një tjetër nismë e qeverisë e nisur në 2019 por e konkretizuar pak javë më parë synon t’i japë fund përdorimit të qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme Ligji i miratuar në Parlament hyn në fuqi më 1 qershor dhe synon që qeset një përdorimshme me kapacitet mbajtës deri ne 10 kg dhe trashësi 70 omikron nuk do të jenë më të lejuara të përdoren duke aplikuar sanksione.

Në Europë dhe vende të ndryshme të botës sensibilizimi për minimizimin dhe mos përdorimin e qeseve plastike po ndiqet me veprime konkrete. Edhe fqinjët në rajon janë duke ndjekur direktivat e BE-së megjithëse sfida e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë, për një mjedis pa qese plastike vijon të mbetet madhore. /BalkanWeb/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu