Spanjolli Luis Suárez Miramontes, ish-lojtari i Barcelonës dhe Interit, siguroi këtë të mërkurë që, nëse do të ishte argjentinasi Lautaro Martínez, në këtë moment do të qëndronte në ekipin zikaltër. Pra, do t’i rezistonte tundimit për të nënshkruar me ekipin katalanas.
Spanjolli i vetëm, që lindi në Spanjë dhe fitoi “Topin e Artë”, kampion kontinental si futbollist dhe ish-trajner i kombëtares, tha në një intervistë për gazetën italiane “Gazzetta dello Sport” se në Barcelonë, Lautaro Martinez nuk do të kishte rol kryesor, si tani tek Interi: “Marrja e një vendimi për të qëndruar apo jo tek Interi e tij është shumë e ndërlikuar. Nëse unë do të isha në vend të tij, nuk do të ndryshoja ekip. Edhe nëse Messi e ka ftuar te katalanasit, duhet të mendohet mirë për këtë. Të rritet edhe më aty dhe të përgatitet për sfida të tjera në të ardhmen”.
Luis Suárez ishte kampion i dyfishtë europian me Interin, më 1964 dhe 1965: “Le ta themi të vërtetën: Lautaro në Spanjë do të ishte më pak i rëndësishëm sesa tek Interi. Do të doja t’i jepja një këshillë: qëndro atje ku je!” Lautaro, 22 vjeç, shënoi 16 gola në 31 ndeshje këtë vit, njëri prej tyre pikërisht në “Camp Nou”, kundër Barcelonës. Ai ka një kontratë deri në vitin 2023 dhe një klauzolë përfundimi të saj prej 111 milionë eurosh.
Luis Suárez, gjithashtu, konsideroi se argjentinasi Mauro Icardi, ish-kapiteni i Interit, aktualisht i huazuar te PSG, nuk do ta veshë më fanellën e Interit, pas debateve të ashpra të vitit të kaluar me drejtuesit e klubit: “Marrëdhënia e tij me Interin është prishur përfundimisht. Unë mendoj se është e pamundur ta imagjinosh atë përsëri te zikaltrit. Do të jetë e nevojshme që me të ardhurat e krijuara nga transferimi i tij, Interi të nënshkruajë me një lojtar tjetër të shkëlqyer. Ai ka akoma neveri për atë që ndodhi. Do të më pëlqente të shihja një “trident” në “San Siro” me Icardi, Lukaku dhe Lautaro. Çfarë sulmi do të ishte!”