Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën kur mori vendim për mënyrën e organizimit të mësimit në Komunën e Kamenicës, gjë që hedhi poshtë reformën arsimore të ish-kryetarit të së njëjtës komunë, Qëndron Kastratit.
Lladrovci e uroi Kastratin, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, për, siç e quan ai, fitoren në këtë betejë, duke thënë se ky vendim ua mbyll gojën keqbërësve në dy komunat, Kamenicë e Drenas.
“Kur e nisa i pari në Drenas këtë reformë, u ballafaqova me rezistencë nga keqbërës dhe qytetarë që nuk ia deshën e as nuk ia duan të mirën arsimit, as nxënësve e as prindërve, me akte populliste, siç bënë edhe në Kamenicë”
, ka shkruar ai në postim.
“Ndonëse nuk kam pasur asnjëherë dilema, megjithatë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese pos që ua mbyllë gojën keqbërësve në dy komunat, i rikonfirmon vendimet tona të drejta!”,
thotë më tej Lladrovci.
“Me procese të tilla, herët apo vonë do të përballen edhe komunat tjera”
, tha ndër të tjera ai.