Legjenda e Manchester Unitedit, Ryan Giggs, beson se Liverpooli ka qenë fantastik gjatë sezonit 2019/20 dhe se skuadra e Jurgen Kloppit e meriton ta fitojë titullin e Premierligës.
Liverpooli për momentin radhitet në pozitën e liderit në tabelën e Premierligës, duke mbajtur epërsi prej 25 pikësh ndaj kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester City që radhitet në pozitën e dytë.
Liverpooli, që e mposhti Tottenhamin në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, e mbylli sezonin e kaluar të Premierligës me vetëm një pikë më pak sesa Manchester City.
Ndërkohë, asnjë klub nuk arriti t’i mposhtë ata në ligë nga janari i vitit 2019 deri në shkurt të këtij viti, kur humbën kundër Watfordit. Kjo ecuri mbresëlënëse ka bërë që edhe legjenda e Manchester Unitedi të gjejë frymëzim te skuadra e Kloppit.
“Pas ndërprerjes së sezonit shkaku i Covid-19, mendoj se ka ende shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje”, ka thënë Giggs, i cili tani e mban postin e trajnerit të ekipit kombëtar të Uellsit, ndërsa për Djajtë e Kuq luajti në vitet 1990-2014 dhe i bëri gjithsej 963 paraqitje.
“Por, mendoj se, nga sa kemi parë këtë vit, Liverpooli është një skuadër fantastike, menaxhohet nga një trajner i mrekullueshëm. Më dhemb ta them, si tifoz i Unitedit, por ata kanë qenë fantastik këtë sezon”.
“Natyrisht se ata do të ecin përpara, do ta fitojnë ligën dhe e meritojnë. Ata në fakt i kanë pasur dy sezone të mrekullueshme, vitin e kaluar ishin në garë me Man Cityn deri në fund. Ata janë një skuadër e mrekullueshme për t’i shikuar”.
“Ka disa gjëra të caktuara që kam marrë si mësime nga stili i lojës i Liverpoolit dhe i kam shfrytëzuar ato në planin tim se çfarë dua të bëj me Uellsin”.