Këtë të premte në orën 10 në prokurorinë e posaçme do të japë deklarime edhe ish-ministri Lefter Koka, që dyshohet se ka përfituar rreth 4 milionë euro rryshfet për ndërtimin e dy inceneratorëve atij të Elbasanit dhe të Fierit. Koka prej disa ditësh është transferuar nga burgu 313 drejt paraburgimit në Durrës.
Koka gjendet nën dy masa arresti për shkak të dy inceneratorëve, ndërkohë që ende nuk është pyetur në lidhje me akuzat e reja që i janë shtuar atij me hapin e radhë që bëri prokuroria e Posaçme për hetimin e skandalit të inceneratorëve në vendin tonë. Dëshmia, mësohet se do të kërkohet për të mësuar lidhjen e Kokës jo vetëm me praktikat e tenderimit por edhe me falsifikimin e shkresave.
Lefter Koka u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar pasi akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë rryshfet gjatë kryerjes së detyrës. SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësine e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit. Pasi është miratuar ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit, SPAK shprehet se kompaniatë “Albtek Energy” sh.p.k. dhe Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për duke faturuar punë fiktive me vlerë 3.6 milion euro.
Sipas SPAK, kjo shumë, pikërisht 3.6 milion euro i është dhënë në formë ryshfeti Lefter Kokës për shërbimet e bëra ndaj inceneratorit të Elbasanit, i cili u ndërtua në shkelje të të gjitha procedurave.
Po ashtu SPAK ka vendosur sekuestrimin e pasurisë të Kokës, konkretisht, “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës, e cila kap vlerën e 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale. Ndërkaq të dyja kompanitë janë vendosur në sekuestro preventive. Po kështu, janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të Klodian Zotos dhe Stela Gugallit. Zoto dhe Gugullja akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” .
Ish-ministri akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”
Ditën e djeshme ishte ish-deputeti i partisë socialistë Alqi Bllako i cili është arrestuar si i përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve është marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme SPAK.
Bllako ka dhënë deklarime në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, përballë hetuesve për procedurat e ndjekura gjatë dhënies se koncesionit dhe ndërtimit të inceneratori të Fierit. Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj ish-deputetit masën e sigurisë arrest me burg, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.
Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.