Në ceremoninë e lamtumirës së ish-menaxherit të njohur nuk mund të mungonin yjet e tij. Nga Fabregas te Haaland, nga Donnarumma te Verratti, nga Kluivert Junior te Ibrahimovic.
Të gjithë u mblodhën në kishën e Saint-Charles, ishin të pranishëm në Montecarlo për lamtumirën e fundit karshi mentorit të tyre, i cili ndërroi jetë më 30 prill në spitalin “San Raffaele” të Milanos, pas një sëmundjeje të gjatë.
Raiola për ta ishte “më shumë baba se menaxher”, siç nënvizoi në predikimin e tij At Claudio, i cili kryesoi ritin e varrimit pasditen e djeshme në kishën e Principatës.
Ishte një funeral privat, por me kaq shumë njerëz të thjeshtë përreth, qoftë edhe për aparatin imponues të sigurisë që rrethonte ceremoninë dhe rrugët fqinje, duke ngjallur kureshtjen e banorëve dhe turistëve.
Kishte shumë emocione, para dhe pas procesionit, nën një shi të imët që e bëri ditën edhe më melankolike. Përveç familjarëve dhe bashkëpunëtorëve më të afërt, nuk munguan as miq nga Italia.
Ishte mjaft domethënës edhe riti i familjes, e cila para fillimit të ceremonisë në kishë u mblodh në rreth në një përqafim të gjatë në oborr. Me siguri, ata po luteshin për shpirtin e Minos së tyre, që të prehet në Parajsë.