Ish-lojtari i Liverpoolit dhe Tottenhamit, Jamie Redknapp, beson se Manchester Unitedi do të jetë një kundërshtar i fuqishëm për klubet e Premierligës kur t’i ketë edhe Marcus Rashfordin dhe Paul Pogban të shëruar plotësisht nga lëndimet.
Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer e kishte arritur një ecuri prej 11 ndeshjeve pa disfatë kur sezoni u pezullua në mars shkaku i koronavirusit. Që nga atëherë, klubit anglez i janë kthyer nga lëndimet dy lojtarë kyç: Marcus Rashford dhe Paul Pogba.
Dyshja do të jetë në dispozicion të trajnerit norvegjez për përballjen e së premtes kundër Tottenhamit dhe Redknapp thotë se dy futbollistët do të jenë ndihmë e madhe për klubin që po lufton në kualifikim në Ligën e Kampionëve.
“Lojtarë të rëndësishëm po kthehen. Nëse ju e shikoni Manchester Unitedin tani, ata e kanë një djalosh të ri, Marcus Rashfordin, që është gati për skuadrën e tij. Do të jetë e mrekullueshme për Manchester Unitedin ta ketë atë sërish”, ka thënë Redknapp.
“Ai do të jetë sikur një transferim i ri – është njëri ndër qendërsulmuesit më të mirë në botë si dhe si sulmues anësor, mund të luajë kudo që dëshiron ta vendosësh. Kështu që mendoj se Manchester Unitedi do ta shikojë dhe do të mendojë “kemi gjasa reale””.
“Do të jetë interesante ta shohim edhe dinamikën në mesfushë, pasi që edhe Paul Pogba kthehet nga lëndimi i tij. Manchester Unitedi ka aq shumë talent në atë repart tani dhe, nëse mund ta shfrytëzojë atë mesfushë, atëherë kanë me të vërtetë gjasa”.
“Ekipet do të shqetësohen kur të përballen me Manchester Unitedit. Klubet si Chelsea që tashmë janë në top katërshe të Premierligës do të duhet të shikojnë prapa vetes”.