Kryeministri Kurti organizoi pritje me rastin e 23 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s

0
Kryeministri Kurti organizoi pritje me rastin e 23 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s
Gjigandi

“Çdo 24 mars, kur e shënojmë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, për të ndalur gjenocidin në Kosovë, kemi folur edhe për zonjën Sekretare Madeliene Albright, mirëpo nuk e kemi menduar, që do të na duhet të flasim për të, pa të”, e nisi fjalën e tij kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga ai, me rastin e 23 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Duke kujtuar rolin e pazëvendësueshëm të ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë një ditë më parë, kryeministri Kurti vlerësoi se ajo në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kombinim i përsosur për një grua të jashtëzakonshme, të cilës i jemi përjetësisht mirënjohës, tha ai.

Kryeministri Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e respektin e thellë për të gjitha vendet demokratike, që patën vullnetin dhe kurajën për të folur dhe vepruar njëzëri në mbrojtje të së drejtës tonë për jetë, shtet e prosperitet.

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në pritjen e organizuar, me rastin e 23 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s

Të nderuar ambasadorë,

RonaTyra

Shkëlqesi ambasadorë,

Ministra,

Deputetë të Kuvendit të Republikës,

Zonja dhe zotërinj,

Miq të dashur,

Çdo 24 mars, kur e shënojmë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit për të ndalur gjenocidin në Kosovë, kemi folur edhe për zonjën Sekretare Madeliene Albright, mirëpo nuk e kemi menduar, që do të na duhet të flasim për të, pa të.

Mbrëmë ajo ndërroi jetë dhe dita e nesërme, nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani është shpallur ditë zie në Kosovë.

Ajo në politikë ishte historiane, në histori ishte diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kombinim i përsosur për një grua të jashtëzakonshme.

E lindur në Pragë midis dy luftërave botërore, Madelaine Albright e dinte vuajtjen njerëzore që sjellë lufta, pasi humbi 26 anëtarë të saj në kampet naziste. Një studente e talentuar, do të bëhej analiste brilante e çështjeve botërore dhe avokate e ashpër për liri, paqe dhe demokraci.

Pasi shërbeu si ambasadore e OKB-së dhe ishte dëshmitare e gjenocidit në Ruandë dhe në Bosnje, ajo e kuptoi koston e mosveprimit dhe u bë kampione e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.

Jemi përjetësisht mirënjohës, u prehtë në paqe!

U shprehim mirënjohjen dhe respektin tonë të thellë të gjitha vendeve demokratike, që patën vullnetin dhe kurajën për të folur dhe vepruar njëzëri në mbrojtje të së drejtës tonë për jetë, shtet e prosperitet.

Falënderojmë posaçërisht ato gra e burra, djem e vajza, pjesëtarë të NATO-s, që për 78 ditë me avionët e tyre luftarakë e mbajtën gjallë shpresën e shqiptarëve të mbetur në Kosovë, për shpëtim e çlirim, dhe të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, për kthimin e tyre në atdheun e lirë.

Tash, më lejoni të përmend shtetet, të cilat kanë qenë anëtare të NATO-s në pranverën e vitit 1999 dhe po ashtu shtetet, të cilat janë bashkëngjitur më vonë: Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas vitit 1999, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Po, njëkohësisht edhe faleminderit gjitha shteteve, që s’janë anëtare të NATO-s, si Suedia, Zvicra, Finlanda e Japonia, e që na ndihmojnë shumë në zhvillimin tonë.

Më lejoni ta përfundoj fjalën, duke thënë që në këtë kohë, kur shënojmë 23 vjetorin e 24 marsit, mendjet edhe zemrat tona janë me popullin e Ukrainës dhe solidariteti ynë me ta dhe me luftën e tyre çlirimtare kundër agresionit ushtarak dhe invazionit rus, është i padiskutueshëm.

Ju dëshirojmë atyre më të mirat dhe urime të gjithëve edhe njëherë!

Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu