Bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe këshilltarin e jashtëm politik të kryeministrit, Besnik Pula, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me nobelistin në fushën e shkencave të ekonomisë, profesorin universitar, Joseph Stiglitz.
Bisedën me profesorin Stiglitz, kryeministri Kurti e filloi me një prezantim të punës njëvjeçare të qeverisë, me theks te rritja ekonomike dyshifrore dhe indikatorët tjerë ekonomikë të regjistruar gjatë vitit 2021. Përveç saj, kryeministri e njoftoi edhe për prioritetet kryesore të qeverisë në fushën e ekonomisë, siç janë themelimi i Fondit Sovran, miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe tranzicioni në ekonomi të gjelbër.
Vëmendje e veçantë iu dha trajtimit të praktikave më të mira se si shteti mund të lehtësojë dhe kanalizojë investimet e diasporës që pastaj nxisin zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe hapin vende të reja të punës.
U diskutua për rëndësinë e largimit të pengesave me të cilat ballafaqohen bizneset private, duke vënë theksin te krijimi i mundësive për qasje në financa, diversifikimin e energjisë elektrike, dhe për modelet e suksesshme të përshtatjes së sistemit të arsimit profesional me nevojat e tregut të punës. Për këtë të fundit, qeveria tashmë ka themeluar Komitetin ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional kundrejt nevojave të tregut të punës i cili ka filluar punën në fund të vitit të kaluar.
Pamje nga biseda