Gareth Bale ka folur në podcast-in e “Hat-Trick”. Në bisedë, lojtari uellsian tregoi raportin që ka me shokët e skuadrës së Real Madridit, ndërsa tha se e mendon të ardhmen në SHBA.
MLS – “Është një ligë, që rritet dhe vazhdon të zhvillohet. Ka shumë lojtarë që duan të shkojnë atje tani. Kjo është padyshim diçka që do të më interesonte. Gjithashtu, dua të shkoj në Los Angeles me pushime. Luaj shumë golf, kur shkoj atje”.
Dhoma e zhveshjes – “Në Madrid flas shumë me Luka (Modric). E njohim njëri-tjetrin që herët, sepse kemi qenë së bashku te Tottenham për 5 vjet dhe jemi te Real Madridi prej 7 vitesh të tjera. Kështu që, natyrisht, shoqërohem shumë mirë me të. Unë, gjithashtu, flas shumë me Kroos. Kam raporte të mira pothuajse të gjithë, por, për të qenë i sinqertë, më shumë bëhem me këta të dy”.
Psikologjia në futboll – “Askush nuk e kishte vërejtur pjesën mendore të sportit për shumë vite. Nëse bisedonit për këtë, të merrnin për të dobët. Prej një dekade, kjo pjesë është parë më mirë, me përparësi”.
Kritikat – “Është e vështirë të merresh me presionin, me të gjitha kritikat dhe gjërat negative. Nëse je kalitur mirë, mund të mos e humbasësh qetësinë. E mira është të mendosh atë që bën më mirë në fushën e lojës”.