Ministri i Drejtësisë mbështet nismën për liberalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Nga Burgu i Reçit, Ulsi Manja komentoi edhe debatin më të fundit për diskriminim krahinor.
“Jam krenar që jam malësor”-
u shpreh Ulsi Manja.
Ky ishte reagimi i Ministrit të Drejtësisë mbi debatin për diskriminimin krahinor që këtë herë u rikthye nga sistemi i drejtësisë.
Ulsi Manja theksoi se mbështet punën e bërë nga organet e vettingut, ndërsa e cilësoi të papranueshme gjuhën e urrejtjes dhe kujtoi ligjin anti-diskriminim.
“Mbështesë plotësisht punën e organeve të vettingut, por nga ana tjetër jam kundër gjuhës së urrejtjes, përçarjes, përçmimit e aq më tepër racizmit. Më vjen mirë që Shqipëria ka një kuadër rregullator të plotë në lidhje me diskriminimin, ka dhe instrumentet e duhura për zbatimin e ligjit kundër diskriminimit.
“
Nismën për legalizimin e kanabisit mjekësor, Manja e mbështet nëse ndikon në rritjen e ekonomisë dhe punimit.
“Pse jo nëse lagalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore i shërben ekonomisë së vendit dhe nxitjes së punësimit. Janë iniciativa që nxisin ekonominë.”
Nga Burgu i Reçit, ministri i drejtësisë lajmëroi heqjen e kufizimeve të pandemisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Nga aty nisi zbatimi i projekti të punësimit të të dënuarve në kompani private.