“Të gjitha rrugët” të çojnë tek skemat offshore të Hollandës dhe Maltës. Ilda Tërshana, aksionere e kompanisë “MSE” ka përfituar tendera me garë fiktive nga Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë investigim të kryer nga “Illyridium Media Group” do të investigohet kush fshihet pas skemave offshore, si po kryhet pastrimi i parave duke vjelë para nga buxheti i shtetit nëpërmjet tenderave publikë.
Dhe si përfshihen punonjësit besnikë si drejtoresha e kompanisë, inxhinieri dhe pronari në këtë skemë do i zbulojmë hap pas hapi.
Kush fshihet pas kompanisë “MSE”?
Persona të lidhur me Klodian Allajbeun marrin tendera nga Shëndetësia duke shkelur ligjin e Prokurimeve. Rasti konkret është kompania “MSE” që ka marrë disa tendera duke ngritur pikëpyetje për respektimin e kushteve të garës ndërkohë që aksionerja kryesore rezultonte njëkohësisht drejtoreshë e “EVITA” shpk, fijet e së cilës shkojnë në offshoret e Hollandës dhe Maltës, kompani që deri dje kanë qenë në pronësi të Klodian Allajbeu.
Në 17 tetor 2015 Ministria e Shëndetësisë shpall fituesin e koncesionarit të Hemodializës, një nga kontratat PPP më të dështuara në vend, e firmosur asokohe nga Ministri Ilir Beqja, i cili sot është nën hetim nga SPAK për aferat e koncesioneve. Fituesi i kontratës koncesionare ishte kompania “DiaVita” shpk, e cila u themelua nga përfaqësuesja e “EVITA” shpk Elona Saraci dhe pronari i “Spitali Amerikan” Klodian Allajbeu.
Koncesionari do të ndryshonte vazhdimisht kompanitë që e zotëronin, por aksioneri kryesor deri në 2019 ishte biznesmeni Klodian Allajbeu që operonte nëpërmjet kompanive guaskë. Pak pas themelimit të koncesionarit, aksionerja e “EVITA” shpk Majlinda Fetiu i shet aksionet e veta kushëririt Klodian Allajbeu. Duke parë vëmendjen mediatike që mori kontrata koncesionare, në shtator 2019 Klodian Allajbeu i shet aksionet e veta kompanisë “Diaverium International AB”. Megjithatë Allajbeu nuk i hoqi asnjëherë tentakulat e tij nga fondet e Shëndetësisë sepse kompani me individë që kanë punuar për këtë të fundit fitojnë tendera duke hedhur dyshime të forta për shkelje të rregullave të prokurimit dhe për influencën që fshihet pas tyre.
Rasti në fjalë lidhet me kompaninë “MSE”, e cila gjatë periudhës që ka qenë në pronësi të Ilda Tërshana, Can Kutay Orten dhe Arbër Liçaj në tetor 2020 ka fituar tender me vlerë 570 milionë lekë të vjetra për pajisje për respiratorë standard dhe të avancuar për reanimacion. Tenderi që ka fituar “MSE” ngre dyshime të forta për paracaktimin e fituesit sepse kompania fituese është krijuar në fund të korrikut 2018, ndërkohë që dokumentet standarte kërkojnë zakonisht xhiron vjetore për 3 vitet e fundit.
Në këtë rast duhen pasqyrat financiare për 2017, 2018 dhe 2019 ndërkohë që kompania ka bilancin për 3 muajt e fundit të 2018 dhe për vitin 2019. Duke anashkaluar këtë fakt është e dyshimtë se si kompani me kaq pak eksperiencë dhe pa fituar shumë tendera ka fituar kundra kompanive “Health & Light” shpk, “T B S 96” shpk, “SAER MEDICAL” shpk, “BIOMETRIC ALBANIA”, “OES Distrimed” shpk dhe “EUROMED” shpk.
Por nuk ka qenë dhe aq e vështirë sepse dy kompani janë paraqitur në garë, por çuditërisht nuk kanë bërë ofertë për të fituar tenderin. Çudia tjetër vjen me 3 kompanitë e tjera, të cilat nuk plotësonin shumë nga pikat e kërkuara, madje “OES Distrimed” shpk ka ngarkuar në sistem dokumenta të pafirmosur sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Edhe ofertat që kanë paraqitur këto kompani kanë qënë relativisht të ulëta pasi ishin 200 milionë lekë të vjetra më pak së kompania “MSE”.
Megjithatë tender tjetër që ka dyshime për korrupsion lidhet me kontratën e fituar nga Spitali i Lezhës për pajisje për Maternitetin e ri me vlerë 390 milionë lekë me TVSH. Duke shfletuar faqet e dokumentave standarte verifikuam informacionet për kushtet që duhet të plotësonin kompanitë që merrnin pjesë në tender. Kompanive u kërkohej xhiroja vjetore për 3 vitet e fundit 2017, 2018, 2019 kurse kompania “MSE” është krijuar në shtator 2018.
Kompania nuk ka eksperiencë në fushën e prokurimeve publike, por merr tender me vlerë 300 mijë euro për pajisje që instalohen brenda 40 ditëve sipas kontratës. Ajo që i vë vulën dyshimeve për tender fiktiv janë kompanitë që kanë marrë pjesë në garë “BIOMETRIC ALBANIA” shpk, “EUROMED” shpk, “ISOMETRIC” shpk dhe “DISTRIMED” shpk. Këto kompani janë paraqitur pa dokumentacion dhe nuk kanë bërë asnjë ofertë për të fituar garën duke ngatërruar ankandin e artit me prokurimet publike.
Në ankandet për veprat e artit mund të paraqitesh dhe të mos bësh ofertë sepse çmimi është shumë i lartë dhe i paparashikueshëm, por te prokurimet publike e ke të qartë tavanin nga fondi limit dhe nuk ka kuptim të mos bësh ofertë. Ngrihen dyshime nëse kompanitë kanë marrëvëshje të fshehtë me njëra-tjetrën ose kanë lidhje që fshihen në kompani të tjera.
Të 4 kompanitë janë skualifikuar duke u shpallur automatikisht fitues kompania “MSE” me ofertë sa 97 % e fondit limit. Madje sipas Drejtorisë së Thesarit, kompania e ka marrë pagesën me vlerë 370 milionë lekë brenda një ditë, një muaj pas kishte lidhur kontratën ndërkohë që persona të goditur nga tërmeti 2019 qendrojnë rrugëve pasi prej 4 vitesh nuk kanë marrë apartamentet e tyre.
Tenderat e qepur me porosi nuk i ndahen kompanisë “MSE” pasi në tetor 2021 fiton tender pa garë nga spitali “Mbretëresha Geraldinë” për pajisje mjekësore me vlerë 81 milionë lekë me TVSH. Tenderi është shënuar me flamur të kuq pasi sipas Open Data paraqet rrezik për praktika korrupsioni. Si është e mundur që kompania “MSE” fiton tenderet pa patur eksperiencë dhe kompanitë e tjera tërhiqen? Kush janë personat që kanë kompaninë dhe çfarë i lidh ata me Klodjan Allajbeu?
Le të fillojmë me Ilda Tërshana, e cila ka fituar tenderat duke qënë Drejtore e kompanisë “E v i t a” shpk, kompani ish-aksionere e koncesionarit të Hemodializës. Aksioneri tjetër i kompanisë “MSE” është Arbër Liçaj, që rezulton inxhinier te “Spitali Amerikan” gjatë vitit 2021. Por këto janë indicie që të çojnë te Klodian Allajbeu sepse fijet e holla që tregojnë tentakulat e njeriut që ka monopolizuar sektorin e shëndetësisë vijnë nga kompani në parajsat offshore në Hollandë dhe Maltë, të cilat kanë pronar të fshehtë për shkak të ligjeve që ruajnë privatësinë e personit.
Aksionere kryesore e “E V I T A” shpk rezulton kompania guaskë me qendër në Hollandë “Arimo BV”. Më parë këto kompani kanë qënë zyrtarisht të lidhura me Klodian Allajbeu, i cili nëpërmjet skandalit të Hemodializës na zbuloi se ishte aksioner kryesor në privat dhe në shtet në Shëndetësi. Lidhja e Klodian Allajbeu me këtë shoqëri shfaqet nëpërmjet kompanisë “Agromark”, e cila është në zotërim nga kompania hollandeze “VENDEKA EUROPEAN INVESTMENTS B.V.” ku ortak është Zoti Allajbeu.
Adresa e kësaj të fundit rezulton e njëjtë me adresën e kompanisë “Arimo B.V”, e cila është kompania që zotëronte “E v i t a” para pak kohësh, ku ka qënë e punësuar Ilda Tërshana në 2021 që merr tendera pa garë nga Shëndetësia.
Megjithatë skandali më i madh, që nuk është zbuluar për publikun vjen nga “PanamaPapers” ku njëra nga adresat e “Arimo B.V” rezulton e lidhur me “BXR REAL ESTATE INVESTMENTS B.V” sipas Rrjetit Ndëkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), informacione të marra nga regjistri i biznesit në Maltë.
Përveç parajsave fiskale në Hollandë ku aksioner të kompanive qendrojnë të pazbuluar për shkak të ligjeve, “Arimo B.V” ka lidhje dhe me Maltën, e cila është një tjetër parajsë fiskale ku pronarët janë anonimë. Kompania hollandeze ka të njëjtën adresë me “BXR REAL ESTATE INVESTMENTS B.V”, që është degë e grupit “BXR Group Limited”. “BXR Group” është në pronësi të një numri investitorësh të Amerikës së Veriut dhe BE-së, të cilët kanë investime të mëdha në Europën Qendrore dhe i kanë diversifikuar këto investime dhe në Europën Perëndimore kryesisht në miniera, energji etj.
Në 2 shkurt 2023, Ilda Tërshana është larguar nga kompania duke ia kaluar aksionet e veta Arbër Teqja ndërkohë Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten rezultojnë ende aksioner. Është e paqartë se sa aksione kanë këta të fundit pasi nuk janë bërë të gjitha ndryshimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*