Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, ndaj Islandës dhe Izraelit, më 6 dhe 10 qershor, resopektivisht. Fillimisht do të luajmë në transfertë, pastaj në “Arena Kombëtare”. Në shtëpi do të presim edhe Estoninë më 13 qershor, në miqësore. Në konferencën e sotme për shtyp dolën dy lojtarë të kombëtares, Giacomo Vrioni dhe Frederic Veseli. I pari nënvizoi:
Sa i lehtë është vendi i parë pa Rusinë – “E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por e dimë edhe nivelin tonë. Si në Islandë, ashtu edhe në Shqipëri, do të luajmë për të marrë 3 pikët, për të arritur vendin e parë”.
Atmosfera e grupit – “Shumë e mirë. Unë kam arritur dje, por atmosfera është shumë e mirë, jemi të përqendruar në këto ndeshje”.
Titullar – “Atë e di trajneri, unë di vetëm që do të vazhdoj të punoj. Edhe pse kalova një sezon shumë të rëndësishëm, sërish është zgjedhje e trajnerit”.
Rekordi i Salihit në kombëtare – “Nëse trajneri më jep mundësinë, është normale, sepse jemi sulmues dhe kërkojmë golat. Do të provoj”.
Konkurenca në kombëtare – “E vështirë është gjithandej, sepse kudo ka sulmues, por në kombëtare ka lojtarë shumë të fortë, janë më në formë. Ne do të mendojmë vetëm të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe siç thashë më parë, zgjedhja i përket trajnerit”.
Reparti më i fortë i kombëtares sonë – “Për mua të gjitha repartet janë të forta. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, ka lojtarë që luajnë në Champions League, Premier League, Europa League, Marash Kumbulla fitoi Conference League dhe siç të thashë, të gjitha repartet janë të rëndësishme në kombëtare”.
Pika jonë më e fortë – “Grupi”.
Islanda apo Izraeli, rivali më i vështirë – “Kur luan në Nations League nuk ka ekip më të vështirë, ekip më të forte. Janë të gjithë në nivelin tonë dhe do punojmë që të marrim 3 pikë në Islandë dhe në Shqipëri me Izraelin”.
Nga ana tjetër, Frederic Veseli shprehet se po stërviten intensivisht që prej ditës së parë për t’i përgatitur këto sfida, jo vetëm nga ana fizike, por edhe ajo mentale.
Përgatitjet për Islandën – “Jemi përgatitur mirë. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me kombëtaren dhe të fitojmë”.
E vështirë për të gjetur hapësira në mbrojtje si e jona – “Është e vështirë sepse kemi mbrojtës ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë nga minuta e parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo”.
Ngarkesa në skuadër dhe përgatitjet – “Këto ditë kanë shkuar shumë mirë. Kemi punuar shumë nga ana mentale, në lojën e grupit. Besoj se e kemi arritur një marrëveshje të bukur mes nesh, me lojtarët dhe stafin. Kjo do të na çojë sa më lart”.
Njohja e kundërshtarëve – “Besoj se kemi bërë disa gabime kundër Islandës dhe Izraelit në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe duhet t’i përdorim këto gabime për t’u përmirësuar dhe pse jo për të fituar kundër tyre. Besoj se momentalisht jemi në nivelin e duhur, në grupin B, por synojmë të shkojmë në grupin A. Kemi bërë disa gjëra të mira me kombëtaren këto vitet e fundit dhe besoj se një hap përpara do të ishte gjëja më e bukur”.
Shqipëria, favorite e grupit për vendin e parë – “Sigurisht, për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë, për të kaluar në Ligën A, ku luajnë kundërshtarë shumë të fortë”.
Mbrojtja e përgatitur në kampionatin italian – “Besoj se po, pasi dihet që kampionati italian ka prodhuar mbrojtës me shumë famë dhe kualitet. Është repart që duhet të jetë i fortë për të synuar fitore dhe rezultate pozitive, pasi nëse nuk funksionon mbrojtja, nuk fitohet loja. Ne nga mbrapa bëjmë lojën tonë, pastaj varet nga Vrioni dhe të tjerët për të shënuar”.