Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i është përgjigjur akuzave të deputetit, Petrit Vasilit në lidhje me dosjen e Autoritetit për Informim, ku u zbulua se politikani me iniciale I.M që ka qenë bashkëpunëtori i ish-Sigurimit të Shtetit rezulton të jetë presidenti Ilir Meta.
Përmes një letre zyrtare, Nikolla shkruan se veprimet e sa udhëhiqen vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit.
Sakaq shton se deklarata e saj erdhi pasi kishte interes të madh nga mediat dhe duhet të raportonte mbi letrën që kishte ardhur në drejtimin e saj.
Letra e plotë:
Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, nr. 2665, datë 28.07.2022, Ju bëj me dije si më poshtë:
Veprimet e mia si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë udhëhiqen vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit.
Në deklaratën time të datës 27 korrik, nisur nga interesimi i madh i mediave, informova mbi letrën drejtuar Kryetares së Kuvendit nga Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion i cili raporton në Kuvendin e Shqipërisë, “Informacion mbi disa çështje të cilat Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ndesh gjatë punës së tij të përditshme”, të cilën e gjeni bashkangjitur.
Është në praktikën parlamentare që Kryetari i Kuvendit ndan informacione me kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare të Kuvendit.