Prishtina e ka mposhtur 3-1 Feronikelin në “Fadil Vokrri”. Pas kësaj fitore, Prishtina ka shkuar në kuotën e 54 pikëve në vendin e dytë, katër më pak se lideri, Drita.
Ndeshja e fundit për xhiron e 27 në IPKO Superligën e Kosovës është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Prishtina e priti Feronikelin, të cilën skuadër e mposhti 3-1, pak ditë pasi barazoi 1-1 me Llapin.
45 minutat e pjesës së parë sollën tre gola, vendasit triumfuan 2-1 mysafirët.
Dy gola u shënuan për një minutë, fillimisht Otto John e kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 11’, por mysafirët reaguan me Albert Dabiqaj dhe barazuan në minutën e 12’.
Sido që të jetë, pas tentimeve të shumta, Prishtina ia arriti qëllimit që të shkojë në pushim të pjesës së parë me avantazhin e një goli.
Gauthier Mankenda realizoi për 2-1 në minutën e 45’.
Në pjesën e dytë, për të konfirmuar formën e mirë, Prishtina e gjeti edhe njëherë golin, që doli të jetë i fundit për këtë takim.
Ahmed Januzi realizoi në minutën e 57’ për rezultatin përfundimtar 3-1.
Pas kësaj fitore, Prishtina ka shkuar në kuotën e 54 pikëve në vendin e dytë, katër më pak se lideri, Drita.