Çdokush në jetë ka momentin magjik. Në futboll, pa diskutim, momenti më i mirë për një sulmues është debutimi, veçanërisht goli i parë. Një ëndërr që në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë i buzëqeshi Dejvid Kapllanit, 19-vjeëarit të Teutës, që vetëm pak minuta pasi hyri në fushë shënoi golin e parë në arenën e të mëdhenjve.
Mbiemri Kapllani është një simbol në futbollin durrsak, të cilin e kanë përfaqësuar me dinjitet babai dhe xhaxhai i Dejvid, Xhevahiri në portë dhe Edmondi në sulm. Emocionet dhe kënaqësinë e golit menjëherë pas përfundimit të takimit i ka ndarë nga mitiku “Loro Boriçi” pikërisht në një lidhje me ta.
Shpresoja shumë të vinte kjo ditë. Është ëndërr për këdo të shënojë në këtë situatë. Jemi të avantazhuar për ndeshjen e kthimit.
Në një ndeshje të tillë nuk mungon dhe dedikimi, çka afërmendsh është shumë e kuptueshme për një të ri në moshë.
Golin ia dedikoj babait dhe familjes time.
Edhe pse i ri në moshë, Dejvidi duket i pjekur, sapo merr veten, duke qenë i qartë për pjesën e mbetur të sezonit, dhe mbi të gjitha në atë se çfarë përfaqëson në historinë e klubit.
Sezoni është në pikën kulmore, është dhe 100 vjetori i klubit dhe duam ta festojmë me një pozicionim të mirë në kampionat dhe fitimin e Kupës. Ky barazim na jep më shumë besim për ndeshjen e kampionatit me Tiranën. Grinta e treguar sot është e rëndësishme. Me Zotin lart, do të ecim shumë larg.
Në ambientet e futbollit durrsak, por edhe në atë të moshave të Shqipërisë, flitet për një lojtar shumë të talentuar, me ëndrra të mëdha për të ardhmen.
Ëndrra ishte kjo, të shënoja gola, por të them të vërtetën s’e kisha ëndërruar kurrë në këtë mënyrë. Kam ëndërr të ndjek hapat e xhaxhait tim, të luaj në Bundesligë.