Maria Sole Ferrieri Caputi do të gjykojë në skena edhe më prestigjioze, ato të nivelit të lartë. Në fakt, do të jetë ajo, e lindur më 20 nëntor 1990 në Livorno, që do të thyejë tabunë: gjyqtarja e parë femër në Serie A.
Nuk ka ende një njoftim zyrtar, por një tregues i fortë në këtë kuptim vjen nga “Coverciano”, ku gjatë ditës së martë ka pasur një takim mes arbitrave dhe shtypit, të kërkuar nga presidenti i Shoqatës së Arbitrave Italianë, Alfredo Trentalange.
Ish-arbitri torinez, i cili me ‘qeverisjen’ e tij iu ka dhënë shtysë gjyqtareve femra në futbollin e meshkujve, e ka bërë të qartë se në sezonin 2022-2023 do të ketë debutime në këtë drejtim. Natyrisht, do të jetë për meritë dhe jo për privilegj.
Dhe për këtë arsye të gjitha të dhënat të çojnë te 31-vjeçarja toskane, e cila në jetën e saj është e ndarë mes futbollit dhe punës në Bergamo, në një qendër studimi për ligjin e punës (Fondacioni Adapt) dhe universitetit si studiuese.
Maria Sole Ferrieri Caputi e ka shkruar tashmë një faqe në historinë e futbollit italian. Në dhjetor të vitit të kaluar ajo ishte femra e parë që gjykoi një ekip të Serie A, me rastin e Cagliari-Cittadella, e vlefshme për Kupën e Italisë.
Një paraqitje bindëse, gjithmonë pranë aksionit, pak fishkëllima, por mirë, pa i bërë askujt “zbritje”: tre kartonë të verdhë dhe tre gola të anuluar, një me korrigjimin e VAR. Ajo shfaqi buzëqeshje dhe besim, edhe kur tensioni mes lojtarëve në fushë u rrit, duke hedhur kështu një rreze shprese në përshpejtimin e mundshëm të debutimit në Serie A.
“Nuk mund të jem vetëm krenar për të, sepse ajo përfaqëson rritjen e një lëvizjeje të fortë, atë femërore, e cila po realizon një ëndërr civilizimi, me aplikim, përkushtim dhe pasion”, – tha vetë Trentalange.
E lindur në Livorno, Maria Sole Ferrieri Caputi është doktoruar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Pizës. Gjithashtu ka një diplomë master në Sociologji, të marrë në Universitetin e Firences. Nga librat në fushë, kënaqësitë e para mbërritën edhe në arbitrim.
Pas rrugëtimit fillestar në kategoritë provinciale dhe rajonale (vetë ajo tha se nëna e priste jashtë në fund të ndeshjeve.), ka ardhur edhe debutimi në Serie D më 15 nëntor 2015. Ndeshja ishte ajo mes Levico dhe Atletico San Paolo. Më pas ngjitja në kompeticionet profesionale, me një hap të fundit historik që tashmë duket shumë afër, Serie A.
Në fund të fundit, tri femra do të fishkëllejnë në Kampionatin Botëror të Katarit në nëntor-dhjetor: francezja Stephanie Frappart, ruandezja Salima Mukansanga dhe japonezja Yoshimi Yamashita. Dhe kush e di se nuk ka ardhur realisht koha që Serie A të përshtatet me kohërat që ndryshojnë, të paktën në këtë drejtim.
Dhe sigurisht jo për shkak të kuotave rozë apo çështjeve ideologjike, por sepse, sipas vetë shoqatës përkatëse, ka disa femra të afta për të aspiruar kapërcimin e madh. Maria Sole është gati të ndriçojë rrugën edhe për koleget e tjera që mund të ndjekin hapat e saj.