“Jam i sëmurë!”/ Nga shmangia e vetting-ut te refuzimi i Gjykatës së Lartë për t’ia dhënë lirinë!…

0
“Jam i sëmurë!”/ Nga shmangia e vetting-ut te refuzimi i Gjykatës së Lartë për t’ia dhënë lirinë!…
Gjigandi

Fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 raste të ndryshme është shpallur ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Për këtë arsye ai është dënuar me dy vite burg disa muaj më parë dhe pasuria që konsiston në një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë në periferi të Tiranës i është konfiskuar.

Pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimiet të Oganizuar, Llala nuk ka hequr dorë nga beteja ligjore për të rifituar lirinë. Ai kishte kërkuar pezullimin e dënimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së me arsyetimin se është i sëmurë dhe duhet patjetër të jetë i lirë që të kurohet.

Megjithatë, trupa e togave të zeza në Gjykatën e Lartë, e përbërë nga anëtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, vendosi mospranim të kërkesës.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë lënë sërish në fuqi atë masë dënimi prej 2 vitesh burg dhe 5 vitesh pa të drejtë për të ushtruar funksione publike. Në krah të tij ka dalë avokati mbrojtës, Sokol Hazizaj, i cili e ka quajtur të pakuptimtë mospranimit e kërkesës për klientin e tij.

Ai pretendon se Gjykata e Apelit në Romë i ka pranuar faktet e gjendjes së tij shëndetësore të rënduar dhe ka refuzuar, në një farë mënyre, kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradim e Llallës në vendin tonë.

RonaTyra

Dhe duke pasur parasysh se Italia e ka njohur gjendjen e tij shëndetësore të rënduar, duhet ta njohin edhe gjykatat shqiptare. Në fakt u tha se Adriatik Llalla zgjodhi Italinë t’ua besonte “hallin” e vet në momentin kur Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë dhe u shpall në kërkim.

Autoritetet italiane njoftuan se i kërkuari i Shqipërisë ishte ndaluar në Romë, por ai do të mbahej në mbikëqyrje derisa të përfundonin të gjithë hapat ligjorë të ndërmarrë për shkak se ai vuan nga një sëmundje e rëndë.

Çfarë zbuluan hetimet?

Ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7000$ për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë te banesës, si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.

Gjithashtu, ndaj ishkryeprokurorit Gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht, bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë në periferi të Tiranës. Në vendimin e saj, Apeli i GJKKO-së, thotë se ish-kreu i Akuzës për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.

Në prag të marrjes së vendimit të formës së prerë, Llalla mundi të arratisej jashtë vendit, ndërkohë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali në dhjetor të vitit të kaluar.

Nga ajo kohë Adriatik Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata italiane pas kërkesës së Shqipërisë që kërkon ekstradimin e tij.

Llalla është përfaqëson nivelin më të lartë të një funksionari shteti të hetuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë, ndonëse ai gjithnjë i refuzoi akuzat e Prokurorisë.

Adriatik Llalla arrestohet në Itali

Më 13 dhjetor 2021, ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u vu në pranga në Romë, Itali. Më 8 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli në kërkim ndërkombëtar emrin e Adriatik Llallës.

Nga verifikimet e atëhershme rezultoi që Llalla të ishte larguar jashtë vendit pak ditë para shpalljes së vendimit të gjykatës për ta dënuar atë me dy vite burg dhe për t’i konfiskuar pasurinë.

Nga ana tjetër Llalla vazhdoi betejën me drejtësinë duke këmbëngulur në pezullimin e dënimit me 2 vite burgim me pretendimin se nuk e përballonte dot burgimin për shkak të gjendjes shëndetësore. Por Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që të lërë në fuqi vendimin për dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Avokati i Llallës kërkon pezullim të vendimt

Një ditë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar ish-prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë Adriatik Llalla u vu në lëvizje, duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit që e ka dënuar me dy vite burgim për fshehje pasurie. Çështja është hedhur në short ditën e djeshme dhe pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.

Llalla i dënuar vetëm 3 javë më parë nga GJKKO me 2 vite burgim ka vënë në lëvizje drejtësinë shqiptare. Kërkesa përmes së cilës kërkon të pezullojë dhe shtyjë ekzekutimin e dënimit me 2 vite burgim dhe të mos shkojë prapa hekurave, është bërë për arsye shëndetësore.

Llalla në arrati, “shëtit” në vendet e BE-së

Gjatë shtatorit të vitit që lamë pas, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla udhëtoi drejt vendeve të BE-së pasi Apeli i Posaçëm e shpalli fajtor dhe e dënoi me 2 vite burg dhe 5 vite heqje të drejtë për të kryer funksione shtetërore.

Tashmë Llalla u shpall në kërkim kombëtar dhe sipas ligjit, Policia i ka shpërndarë të gjitha drejtorive të qarqeve urdhërin për të kërkuar Adriatik Llallën.

Policia ka afat 3 muaj për kërkime brenda vendit, por afati mund të mos përmbushet dhe më pas Policia me skadimin e tij vihet në lëvizje për ta shpallur me organet kompetente në kërkim ndërkombëtar.

Po në shtator, Policia mësyu në banesën e ish-kryeprokurorit në Tiranë por nuk e gjetën ndërsa familjarët refuzuan të tregonin vendndodhjen.

“Vuan nga një sëmundje e parikuperueshme!”

– detajet nga seanca gjyqësore e Llallës

Në seancën gjyqësore në fillim të shtatorit të vitit 2021, Adriatik Llalla mungonte për arsye shëndetësore. Ai kërkoi shpalljen e pafajësisë ose rikthimin për gjykim të çështjes sërish në Shkallën e Parë, por me një tjetër turp gjykuese.

Avokati Sokol Hazizaj argumentoi se Llalla nuk mund të ishte i pranishëm në sallë para togave të zeza pasi është në regjim spitalor, pasi vuan nga një sëmundje e parikuperueshme.

Madje avokati paraqiti për trupën gjyqësore dhe një ekspertizë mjekësore që provonte faktin se Llalla ishte hospitalizuar dhe se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Trupa gjykuese u mbyll për 30 minuta në dhomën e këshillimit, ku dhe pritej që të jepej vendimi.

Dënohet me 2 vite burg ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, pasuritë i kalojnë shtetit

Në maj të vitit 2021, Llalla u dënua me 2 vite burg, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveç dënimit me burg, ka vendosur që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike.

Në dalje nga godina e gjykatës, Llalla nuk pranoi të bënte komente. Ai dëgjoi në heshtje verdiktin i shoqëruar nga avokati Altin Azizaj. Mësohet se në seancë kishte përfaqësues dhe të ambasadës amerikane.

Llalla është ish-zyrtari i parë që cilësohet fajtor nga Gjykata e Posaçme e ngritur në kuadër të reformës në drejtësi. Hetimi u çel menjëherë pas largimit të tij nga institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili doli nga sistemi duke mos iu nënshtruar vettingut. Dosja kaloi në disa prokurori pasi të kalonte në SPAK.

Prokuroria e Posaçme i komunikon Llallës akuzën

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla në mars të vitit 2020.

Në atë kohë, bëhej fjalë për mosdeklarimin e një shume në Gjermani që e ka përdorur për shkollimin e vajzës, shumë të cilën ish-kryeprokurori Llalla thotë se e kishte marrë borxh nga një mik.

Për çështjen “Llalla” ka kthyer përgjigje edhe DASH që e shpalli non grata duke i ndaluar hyrjen në SHBA. Por të dhënat e ardhura nga USA nuk janë bërë të ditura.

Llalla i shpëton vetting-ut në vitin 2018

Adriatik Llalla mendoi se i shpëtoi përfundimisht drejtësisë në qershor të vitit 2018, kur Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk do t’i nënshtrohej procesit të vetting-ut.

Ndërprerjen e vetting-ut për ish-Kryeprokurorin e mori Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi ai hoqi dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kërkoi që subjekti t’i nënshtrohej vetting-ut.

Komisioneri argumentoi javën e kaluar se ish-Prokurori i Përgjithshëm pavarësisht dorëheqjes nga drejtësia, vazhdon të ketë statusin e magjistratit e për këtë arsye dorëheqja e tij nuk rezulton të jetë kryer siç duhet.

Si argument komisioneri solli shembullin e dy gjyqtarëve të dorëhequr pranë KLD gjatë vettingut.

Në 12 shkurt të këtij viti ambasadori amerikan Donald Lu tha se

“vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar apo të paaftë është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu