Media italiane i bën jehonë dhunës së tifozëve në kryeqytetin shqiptar, natën para finales së “Conference League”. Kështu, “Corriere dello Sport” shkruan se ka pasur mjaft “përplasje në Tiranë mes policisë së kryeqytetit shqiptar dhe tifozëve të Feyenoord, kundërshtarit të Romës në finalen e Ligës së Konferencës.
Shqetësimi sa vjen e shtohet për atë që mund të ndodhë ditën e ndeshjes. Siç konfirmon policia e Tiranës, ka pasur disa raste incidentsh të dhunshme. Në rastin e parë, një burrë me kombësi shqiptare u plagos nga një karrige në kokë në zonën e tifozëve të rezervuar për tifozët e Feyenoord, të cilët dyshohet se janë provokuar nga njeriu që u plagos më pas.
Personi që tashmë ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, do t’iu kishte kënduar himnin e Romës, çka shkaktoi provokim te holandezët. Shumë persona u ndaluan nga policia, por ata nuk janë, të paktën tani për tani, të arrestuar.
Ngjarje të tjera pati edhe në një nga zonat e ‘jetës së natës’ së Tiranës, me rreth 200 huliganë holandezë, të cilët u përplasën me policinë, duke përdorur shkopinj dhe gjuajtën me gurë ndaj agjentëve, disa prej të cilëve u plagosën.
Përleshje të tjera, mes policëve dhe tifozëve të Feyenoord, u regjistruan pranë selisë qendrore të policisë në Tiranë, në një nga zonat qendrore të kryeqytetit shqiptar. Një makinë policie ka mbetur me xhama të thyer. Së fundi, përleshje u raportuan edhe në periferi”.
🚨 Rioting in #Tirana #Albania with AS #Roma and #Feyenoord Rotterdam supporters the night before the #EuropaConferenceLeague Final, Italian and Dutch hooligans have been arrested Rioting still ongoing. pic.twitter.com/P3jdnPLzHg
– Breaking News 24/7 (@Worldsource24) May 24, 2022
Edhe prestigjiozja “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe shprehet e shqetësuar mbi dhunën e tifozërive në Tiranë: “Me kalimin e orëve, situata e rendit publik në Tiranë është bërë dramatike, ku finalja e Konferencës së Ligës është planifikuar për mbrëmjen e sotme.
Sipas burimeve policore në kryeqytetin shqiptar, të plagosurit janë pesëmbëdhjetë, dymbëdhjetë policë shqiptarë dhe tre tifozë. Dy italianë kanë pësuar lëndime në kokë dhe në fytyrë. Një nga policët e lënduar cilësohet në kushte serioze për jetën.
Për t’u shqetësuar, teprimet e tifozëve të Feyenoord-it, të cilët falë birrave të shumta, fillimisht u bënë protagonistë të përplasjeve në veri të qytetit, në fund të të cilave dy të rinj shqiptarë u plagosën në kokë. Njëri seriozisht, i goditur nga një karrige.
Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Policia e Tiranës ka bërë të ditur, me anë të një njoftimi, se është rritur numri i tifozëve të ndaluar të Romës dhe Feyenoord-it. Nga këta persona të shoqëruar në komisariat, 48 janë me kombësi italiane (në këtë numër përfshihen edhe ata që ndodheshin në autobusin ku u gjetën sende të ndaluara, kryesisht armë të ftohta) dhe 12 holandezë.
Përleshje raportohen në zona të ndryshme të qendrës dhe policia lokale po përpiqet të frenojë situatën, pa mundur të shmangë kontaktet e ngushta që do të përfshinin edhe tifozët e Romës. Një bilanc më i saktë mund të merret vetëm sot paradite.
Dhuna u ftillua nga një episod i parëndësishëm, kur në zonën e tifozëve të Feyenoord-it, një qytetar vendas nisi korin “Roma, Roma, Roma”, duke shkaktuar reagimin e mbështetësve portokalli. Pas një dite shumë të qetë, tensioni kapi kulmin në perëndim të diellit, veçanërisht kur tifozët holandezë pushtuan qendrën e qytetit.
Përplasje disa qindra metra larg selisë së qeverisë, në “Mustafa Matohiti”, ku rreth 200 ultras holandezë u përplasën me policinë, duke gjuajtur me gurë agjentët, dy prej të cilëve u plagosën. Në sheshin Skënderbej, në qendër të Tiranës, një makinë policie ka mbetur me xhama të thyer. Përleshje raportohen edhe në periferi, të cilat shohin gjithmonë si protagonistë tifozët holandezë.
Romanistët nga ana tjetër janë shumë më pak, shumica e tyre do të mbërrijnë vetëm sot dhe janë të ndarë mes Tiranës e Durrësit. Gjithsesi, policia ka intensifikuar kontrollet, por pas mesnate situata ka qenë aq shqetësuese sa mysafirët e hoteleve në kryeqytet janë “këshilluar fort” që të mos largohen nga ambientet”.