Drejtësia italiane po përpiqet të qartësojë nëse ka pasur keqmenaxhim të mundshëm të krizës së Coronës.
A ka pasur keqmenaxhim të mundshëm të krizës së Coronës në Itali? Prokurori i Bergamos mori për këtë në pyetje kryeministrin Conte, disa ministra do të pasojnë. Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte u mor në Romë për rreth tre orë në pyetje nga prokuroria e qytetit të Bergamos të prekur rëndë nga Corona. Marrja në pyetje u zhvillua në rezidencën e tij zyrtare në Palazzo Chigi. Në pyetje do të merren edhe ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza dhe ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese.
Reagim me shumë vonesë
Hetuesit nga rajoni i Lombardisë, ku gjendet edhe krahina e Bergamos me qytetin me të njëjtin emër, po hetojnë për një keqmenaxhim të mundshëm të krizës nga politikanët përgjegjës në Romë. Në Itali vazhdojnë edne hamendjet në lidhjen me shkaqet që përshpejtuan përhapjen e sëmundjes në veriun vendit që është ekonomikisht i fortë.
Në qendër të hetimeve është sidomos çështja se pse komunat Alzano Lombardo dhe Nembro në provincën e Bergamos nuk u shpallën më herët zona nën karantinë. Kjo zonë u shndërrua në qendër të pandemisë në muajin mars. Pamjet e automjeteve ushtarake të ngarkuara me arkivole të vdekurisht prej Coronës u përhapë nëpër gjithë botën.
Të afërmit e viktimave kanë ngritur rreth 50 padi kundër personave të panjohur, sepse dyshojnë për gabime administrative. Ata besojnë se shumë jetë mund të ishin shpëtuar nëse qeveria në Romë do të kishte reaguar më shpejt.
Disa ditë pas zbulimit të rastit të parë të shpërthimit të Coronës, Roma bllokoi dhjetë bashki në Lombardi, përfshirë Codogno dhe Vo ‘në Veneto. Prokuroria tani po heton pse kjo nuk ndodhi në qytetet e tjera.
Shpallja e karantinës më 8 Mars – rasti i parë i njohur më 20 shkurt
Më 8 mars Roma urdhëroi bllokimin në karantinë të Lombardisë dhe disa qyteteve në Veneto. Kjo u pasua menjëherë me vendimin për bllokimin e të gjithë Italisë, që hyri në fuqi më 10 mars dhe u lirua gradualisht në maj. Rasti i parë me sëmundjen COVID-19 u bë i njohur në qytetin Codogno rreth datës 20 shkurt.
Pak para marrjes në pyetje kryeministri pa parti Conte tha se ai ende beson se mënyra e tij e veprimit ishte e saktë. “Sepse unë i kam bazuar veprimet e mia në shkencë dhe ndërgjegje, sepse menjëherë u përfshiva, jam absolutisht i qetë”, tha ai për gazetën “Corriere della Sera”.
Deri tani në Itali janë zbuluar më shumë se 236.300 infeksione me Coronë. Sipas informacioneve zyrtare më shumë se 34.200 vetë vdiqën nga infeksioni SARS-CoV-2. Ndërkohë autoritetet në shumë rajone pothuajse nuk po regjistrojnë më asnjë infeksion të ri./DW
Burimi: top-channel.tv