Intervista/Agim Nesho: Kosova të pranojë asosiacionin e komunave serbe pa atribute të një pushteti ekzekutiv. Rama pre’ e skenarëve serbo-rusë

0
Gjigandi

Nga Klara Dervishi

Faktori ndërkombëtar vijon intensivisht përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për Kosovën por sa më shumë bëhet kjo e qartë aq më shumë del në pah se sa larg marrëveshjes janë Kosova dhe Serbia. As plani franko-gjerman nuk i ka afruar palët dhe me të drejtë Kosova pyet: Ku qëndron njohja? Por konflikti ende i ndezur në veri të Kosovës dhe kërkesa e ndërkombëtarëve për të ngritur dhe pranuar asosiacionin e komunave serbe gjë që lidershipi në Kosovë nuk e pranon duket se rindezi debatin duke synuar marrëveshje. Por edhe vizita e fundit e Këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet e tregoi qartë se ngritja e asosiacionit është në vëzhgimin e aleatëve më të ngushtë të Kosovës, BE dhe SHBA.

Si do veprojë Kosova përballë kësaj kërkese? Po me planin Franko-Gjerman?

Si dhe ku është roli i Tiranës zyrtare që më shumë është fotografuar e përqafuar me Vuçiç sesa me kryeministrat Kosovarë të gjithë së bashku.

abc.al i ka drejtuar disa pyetje ish ambasadorit shqiptar në OKB, diplomatit të njohur Agim Nesho.

RonaTyra

Tiranë 14 janar 2023

. Zoti Nesho ka një intensifikim të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për konfliktim Kosovë-Serbi ose më Saktë që Serbia kam e Kosovën duke mos e pranuar realitetin që është e duhet pranuar si shtet i pavarur. Çfarë pritet nga ky intensifikim në fakt?

Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet me të gjitha mjetet të shpejtojë zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës, për të arritur njohjen reciproke të dy vendeve. Intensifikimi i veprimeve të tyre vjen si rezultat i  situatës  gjeopolitike  që po kalon sot Europa si rezultat i konfliktit Rusi- Ukrainë dhe tendencës që ka Rusia për të krijuar një vatër të re tensioni në zemër të Europës.Nga ana tjetër sot ekziston një konsensus i plotë midis Europës së Bashkuar dhe SH.B.A-së për çështjet e bashkëpunimit dhe sigurisë që vendet perëndimore kanë arritur ta sigurojnë.

. Vendosja e Barrikadave në veri a e provokoi vërtet një konflikt të armatosur apo kjo ishte thjesht një lojë e Vuçiç që si ka thënë Eduard Jozef “barrikadat u hoqën për tu vendosur lehtësisht”?

Pozicioni i Serbisë është tepër i qartë. Serbia nuk do ta njohë Kosovën por konfliktin e ngrirë të mbajtur midis dy vendeve kërkon ta përdorë si mjet për të negociuar në politikën e jashtme.

. Por KFOR nuk ndërhyri duke e perceptuar këtë si një konflikt ose jo ndërhyrje nga një shtet tjetër por si një mjet proteste të qytetarëve duke thënë se kërkesat duhet të merren parasysh

Për Serbinë kërkesa e Perëndimit për t´i  vendosur sanksione Rusisë duket se është e papranueshme, por nga ana tjetër ajo përpiqet të negociojë me Perëndimin duke u paraqitur si element stabiliteti në rajon. Pra të gjitha situatat provokuese në Veri të Kosovës dirigjohen nga regjimi serb,i cili i përdor në lojën e tij politike.

. Megjithatë po tregohet i kujdesshëm perëndimi duke mos synuar izolimin e Serbisë çka do ti duhej Rusisë për të realizuar plotësisht planet e saj në Ballkan?

Situata kritike dhe provokative në Veriun e Kosovës duket që shtyhet nga nacionalistët serbë ndërsa Perëndimi vazhdon që ta mbajë Serbinë si një shtet që potencialisht mund ti bashkohet Europës së Bashkuar. Vetë nacionalizmi serb e ka të vështirë të shkëputet nga lidhjet tradicionale me Rusinë.

Në situatën e sotme Rusia e ka relativisht të lehtë të destabilizojë Serbinë, nëqoftëse Serbia kërkon një orientim  pro perëndimor. Synimet e Rusisë janë që të projektojë një situatë konflikti në Ballkanin Perëndimor dhe të shfrytëzojë konfliktin në Kosovë si preçedent për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me ish- Republikat Sovjetike.

. Duket paksa e habitshme por ka pasur një deklaratë nga presidenti turk Erdogan se vendi i tij ka ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit në Veri.

Presidenti Turk Erdogan është një aktor i rëndësishëm në lojën ballkanike si rezultat i interesave  të Turqisë për tu shtrirë me zona interesash në Ballkanin Perëndimor. Kjo shkon me politikat e Turqisë për realizimin e ambicieve për rikthimin e Perandorisë neo-Otomane. Duket se Turqia është pjesë e lojës ballkanike për një zgjidhje të re gjeopolitike në rajon, zgjidhje që do të vijë nga projekti i lëvizjes së kufijve në linja të pastra etnike.

. Ndërkohë si shihet roli që ka BE në këtë dialog dhe veçmas ai i SHBA. A konvenojnë ato gjithmonë apo ka edhe momente ku njëra ka më shumë epërsi?

Si SHBA dhe BE kanë rritur vëmendjen e tyre lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor. Kjo lidhet me politikat serbo- ruse prezente në Ballkan, të prishjes së arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe kthimin  e BE- së në një rajon ku interesat e fuqive të mëdha të bashkëveprojnë.

Administrata e Presidentit Biden po bashkëpunon ngushtë me BE-në duke qënë se Ballkani është një rajon  gjeografik europian. SHBA-të  mbështesin parimisht të gjithë politikat e BE-së për rajonin. Megjithatë roli i SHBA- së është shumë i madh në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat e shikojnë SHBA-në si garantuese të proceseve të paqes dhe stabilitetit në rajon.

. Si është kursi i SHBA në Ballkan? A duket e interesuar SHBA për të pasur më shumë në vëmendje Ballkanin dhe nëse e ka shprehur e ka bërë këtë realitet?

SHBA e ka shprehur qartë se interesat e saj në botë lidhen ngushtë me çështjet e sigurimit kombëtar të SHBA-së. Ata i janë rikthyer vëmendjes në Ballkanin Perëndimor nga momenti kur Rusia revizioniste kërkon rritjen e influencave të saj, prishjen e arkitekturës  së sigurisë së NATO-s dhe rimodelimin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet një marrëveshje me fuqitë botërore. Prandaj dhe lëvizjet e ShBA-ve në Ballkan do të reflektojnë përgjigjet dhe provokimet e Rusisë, Kinës nga njëra anë si edhe nevojën për integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE.

. Zoti Ambasador, problemet të pazgjidhura dhe kudo tensione etnike. Pse vijon Ballkani të jetë një rajon që prodhon kriza?

Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një rajon që prodhon kriza për arsye se rendi botëror sot është bërë një rend me shumë pole drejtimi dhe politikat nacionaliste po rikthehen në botë. Kur ndodhi proçesi i shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, Perëndimi në atë kohë dha si zgjidhje krijimin e shteteve të lira, demokratike dhe multietnike në Rajonin e Ballkanit, duke patur parasysh se lufta e ftohtë kishte përfunduar dhe pretendimet e vendeve kryesore për zona influence ishin minimizuar. Pas dy dekadave Serbia e nxitur nga nacionalizmi i ri po kërkon ndryshime në Ballkan, dhe ky ndryshim duhet të vijë nga krijimi i shteteve me linja të pastra etnike. Kjo kërkesë e nacionalistëve të rinj serb tenton në krijimin e Serbisë së madhe dhe rajoni të ketë një zgjidhje te re gjeopolitike. Këto politika te reja nacionaliste sigurisht që krijojnë tensione.

. A është Vuçiç apo a vepron ai i vetëm në këtë konflikt që e ngacmon sa herë ai do?

Presidenti Vuçiç po vepron si një aktor i fortë dhe po mbështetet në politikat revizioniste të Rusisë, në bashkëpunimin e ngushtë me Kinën dhe Turqinë duke shfrytëzuar situatën e tensionuar ne Europë nga kërcënimi rus.

  • Dorëzimi i aplikimit për statusin kandidat nga Kosova e parakohshme apo e vonuar?

Lëvizja e Republikës së Kosovës për të aplikuar si vend kandidat për Bashkimin Europian është një lëvizje e zgjuar politike e cila ka qëllim evidentimin e Kosovës si një vend pro perëndimor dhe si pjesë e ardhshme e organizatave të NATO-s dhe BE-së.

  • Pranimi i Kosovës në NATO dhe BE a është rruga e vetme për të garantuar paqen në rajon?

Duke qënë se Serbia po e bllokon njohjen e Republikës se Kosovës si një shtet me të drejta të plota në OKB, prirja që Kosova të integrohet në NATO dhe BE është një lëvizje e domosdoshme që do të konsolidonte pozicionin e saj ndërkombëtar. Lëvizja për integrim është një lëvizje e shkëlqyer që do ti sjellë Republikës së Kosovës nje pavarësi të plotë nga politikat nacionaliste serbe dhe pretendimet e tyre nacionaliste.

. Po a mund të jetë realitet i afërt ky, pra Kosova në NATO e BE?

Pranimi i Kosovës ne NATO dhe BE do të jetë një proces që do të varet nga shumë faktorë.Futja e saj në NATO lidhet drejtpërdrejt me kërcënimet ruse për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Është e nevojshme që në këtë situatë kritike, Perëndimi të shtojë presionet ndaj vendeve që nuk e njohin Kosovën, që ky proçes të jetë sa më i lehtë dhe sa më i shpejtë. Lidhur me hyrjen ne BE, ecuria e proçesit do të jetë me e ngadaltë për arsye se vendet pranohen atëherë kur plotësojnë kushtet dhe përafrojnë politikat e tyre me BE-në. Ky është një proçes ku vendet vlerësohen në bazë të meritës dhe jo në bazë te vendimit politik. Vendimi politik i BE-së tashmë e ka përcaktuar qartë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë pjesë integrale e BE-së.

  • A ka bërë Perëndimi lëshime për Serbinë dhe jo për Kosovën?

Plani Franko-Gjerman është plani më i mirë në kushtet e sotme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve dhe për të krijuar mundësinë e njohjes reciproke midis dy vendeve.

Kosova e ka pranuar në parim, ndërsa Serbët nuk e pranojnë atë. Duke bashkëpunuar me Perëndimin në realizimin e planit franko-gjerman, Kosova e rreshton veten pro zgjidhjes dhe kundër konfliktit. Politika në Kosovë duhet të bashkëpunojë ngushtë për të tejkaluar edhe ato kërkesa, të cilat kanë një kundërshti në Kosovë, sic është cështja e assosiacionit të komunave serbe. Kjo është një cështje që kërkohet nga nacionalistët serbë për të mbajtur konfliktin ndezur dhe në momente të ardhshme ta përdorin assosiacionin ashtu si në Bosnjë-Hercegovinë për të krijuar ndarjen. Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtar dhe miratimin e asosiacionit duhet ta pranojë brenda rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, dmth pa atribute të një pushteti ekzekutiv.  Duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara prej saj, Kosova tregon seriozitet dhe duke bashkëpunuar në projektin franko-gjerman do ti mundësojë vetes që Perëndimi ti mundësojë asaj integrim në NATO dhe BE.

  • Si e shihni ndikimin e politikës shqiptare në këtë konflikt dhe takimet e të ashtëquajturës Open Balkan. A e zbusin këto takime konfliktin Kosovë-Serbi?

Politika e Jashtme e Rilindjes ndaj Kosovës ka qenë e dyzuar dhe në shumë raste kundër interesave tona kombëtare. Bashkëpunimi Rama- Vuçiç ka në themel një strategji të stabilitetit ballkanik, ku Kosova anashkalohet dhe Beogradi bashkëpunon me Tiranën për zgjidhjen e të ardhmes së stabilitetit ballkanik. Me këtë lëvizje Rama- Vuçiç sigurojnë pushtetin e tyre personal, dhe kërkojnë një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan, që mundëson Serbinë e Madhe por edhe Shqipërinë e Madhe (vetëm që Kosova duhet të lërë disa territore në favor të Serbisë). Në fakt Rama ka rënë pre’ e skenarëve serbo-rusë të cilët kërkojnë një zgjidhje të re për Ballkanin, ku Rusia do të futet si një fuqi botërore garantuese duke shtrirë influencat e saj në Ballkan. Ballkani i Hapur është një tjetër inisiativë serbe që realizon dominimin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Rama vazhdon ta mbrojë këtë inisiativë edhe kur BE insiston se vetëm procesi i Berlinit është inisiativa e vetme europiane që do të sigurojë tregun e përbashkët ballkanik dhe integrimin e rajonit në BE.

  • Kemi dëgjuar mjaft akuza që adresohen kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Por çfarë e motivon Ramën të jetë në anën e gabuar, pra me Serbinë?

Rama është një lider atipik, sipërfaqësor, që i pëlqen protagonizmi. Duke dalë së bashku me Vuçiç në inisiativa të përbashkëta rajonale, atij i duket sikur merr përmasat e një lideri të madh që nuk paragjykon por zgjedh lëvizjet e duhura. Nga ana tjetër, korrupsioni galopant dhe abuzimet e mëdha që janë evidentuar gjatë qeverisjes së tij, e detyron Ramën të vonojë ingrimin europian të Shqipërisë. Ai ka frikë nga llogaridhënia dhe transparenca si dhe parimet dhe vlerat europiane. Interesat me Vuçiç janë lidhur për zgjatjen e pushtetit personal pa menduar thellë se po mban një pozicion anti-kombëtar dhe aventuror.

Faleminderi Zoti Nesho

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu